Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, ka theksuar se shëndeti i gruas mbetet një prioritet kombëtar me ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e familjes dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Duke folur në Kongresin Ndërkombëtar të Federatës Shqiptare të Gjinekologëve dhe Obstetërve, Sala u ndal te nevoja për përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së shërbimeve shëndetësore, duke garantuar njëkohësisht akses të barabartë për të gjitha gratë, pavarësisht vendbanimit apo statusit social.
Ajo theksoi se politikat aktuale shëndetësore janë të orientuara drejt forcimit të kujdesit të integruar për nënën dhe fëmijën, rritjes së aksesit në shërbime cilësore, standardizimit të praktikave klinike sipas udhëzimeve ndërkombëtare, si dhe investimeve të qëndrueshme në infrastrukturë dhe burime njerëzore.
Një vëmendje e veçantë, sipas ministres, i kushtohet programeve të kujdesit antenatal, depistimit për patologjitë më të shpeshta dhe forcimit të shërbimeve neonatale, si faktorë kyç për uljen e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë amtare e neonatale.
Duke folur për sfidat, Sala nënvizoi nevojën për një qasje më të integruar dhe të avancuar, përmes përdorimit të teknologjive të reja, rritjes së kapaciteteve profesionale dhe zhvillimit të qendrave të specializuara.
“Qeverisja moderne në shëndetësi kërkon vendimmarrje të bazuar në evidencë dhe partneritet të ngushtë me profesionistët,” u shpreh ministrja, duke vlerësuar kongresin si një shembull ku shkenca dhe politika bashkëveprojnë për zhvillim dhe qëndrueshmëri.
Në këtë kuadër, ajo njoftoi edhe nisjen e projektit PRISMA, në kuadër të programit MATHERNA, një bashkëpunim mes Qeverisë Shqiptare, Qeverisë së Italisë, Rajonit të Lombardisë, Autoritetit Lokal Shëndetësor Fatebenefratelli Sacco (ASST) dhe Agjencisë Italiane për Bashkëpunim për Zhvillim. Sipas saj, ky projekt përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e shërbimeve shëndetësore dhe bashkëpunimit ndërinstitucional me partnerët ndërkombëtarë.
