Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Ernest Muçi, mori skenën e ndeshjes së sotme me një gol fantastik kundër Finlandës. Në intervistën e tij pas përfundimit të takimit për “Klan Kuq e Zi”, sulmuesi u shpreh i lumtur për paraqitjen e skuadrës dhe fitoren e arritur.
Duke folur për ecurinë e tij personale, 25-vjeçari pranoi hapur se po kalon momentin më të mirë të karrierës së tij sportive. Ai shtoi me emocion se ka kaluar shumë vështirësi dhe pengesa për të arritur deri në këtë pikë të rëndësishme.
“Ishte shumë e rëndësishme fitorja ndaj Finlandës. Unë dua të ndihmoj ekipin, të fitojmë sa më shumë ndeshje. Kishim 4 mesfushorë në fushë dhe unë doja ta marr topin në zona të rrezikshme.
Sot ka qenë ndeshje fantastike, duhet të vazhdojmë kështu. Për mua është moment shumë i mirë, kam kaluar shumë gjëra për të ardhur në këtë ditë dhe patjetër që jam shumë i lumtur”, tha ai./k.m
