Reshjet e dendura të shiut të shoqëruara me erë të fortë kanë shkaktuar problematika në disa zona të qarkut të Korçës.
Sipas raportimeve nga terreni, era ka rrëzuar pemë ndërsa njëra prej tyre ka rënë mbi një automjet.
Punonjësit e shërbimeve janë në terren dhe po punojnë për heqjen e pemës nga automjeti, si edhe për pastrimin e rrugës.
Ndërkohë, në fshatin Orman të bashkisë Maliq është regjistruar breshër. Grupet e punës pritet të dalin në terren për të vlerësuar dëmet, kryesisht në kulturat bujqësore.
Reshje breshëri janë raportuar edhe në një fshat të bashkisë Kolonjë, ndërsa autoritetet po monitorojnë situatën për evidentimin e dëmeve të mundshme./mxh
