Ekonomia globale po përballet që nga fillimi i vitit 2025 me një ngadalësim të rritjes, duke reflektuar një mjedis të vështirë me inflacion të qëndrueshëm dhe pasiguri politike
Indekset e aksioneve globale u rritën në nivele rekord në tremujorin e tretë të 2025, duke treguar optimizëm nga fitimet e korporatave, ndonëse rritja teknologjike u ngadalësua. Megjithatë, në një moment të vitit, aksionet amerikane ranë në mënyrë të konsiderueshme, me S&P 500 dhe Nasdaq duke regjistruar rënie të forta, për shkak të shqetësimeve nga politika tregtare dhe tarifat.
Spikasin monedhat e tregjeve në zhvillim
Monedhat e tregjeve në zhvillim, si forinti hungarez, pesoja meksikane dhe reali brazilian, fituan tërheqje ndër investitorët, pasi u shfaqën luhatje të forta në tregun e këmbimit valutor global, një tregues i zhvendosjes së investimeve larg dollarit amerikan.
Çmimet e naftës u ndikuan nga gjeopolitika
Çmimet e naftës u rritën gjatë vitit 2025 dhe e gjitha kjo për shkak të tensioneve SHBA-Venezuelë, si edhe shqetësimeve për furnizim, edhe pse shqetësimet e tepricës së furnizimit për vitet e ardhshme vazhduan të ndikojnë tregun.
Sektori bankar europian në rritje falë IA-së
Aksionet e bankave europiane shënuan rritje të fortë për shkak të adoptimit të Inteligjencës Artificiale, që rrit eficiencën dhe redukton kostot operacionale, duke forcuar performancën e këtij sektori.
Tregjet globale ishin në pritje të zhvillimeve kryesore monetare nga Rezervat Federale të SHBA-së dhe Banka Qendrore Europiane, si dhe të dhënave të inflacionit dhe punësimit, të cilat pritet të ndikojnë ndjeshëm në vendimet për normat e interesit dhe sentimentin e tregut edhe gjatë vitit që vjen.

Parashikimi-Ku po lëviz tregu përtej vitit 2025
Njësia e OKB-së për Tregti dhe Zhvillim parashikon që ekonomia botërore do të zgjerohet vetëm me 2.6% në vitet 2025 dhe 2026, nga 2.9% në vitin 2024. Parashikimet e shtyjnë rritjen më tej nën mesataren para pandemisë prej 3% dhe shumë nën mesataren prej 4.4% të parë para krizës financiare 2008-2009.
Ekonomitë e mëdha gjithashtu po humbasin vrullin. Rritja në Shtetet e Bashkuara pritet të ngadalësohet në 1.8% në vitin 2025 dhe 1.5% në vitin 2026. Rritja e Kinës parashikohet të bjerë nga 5% në vitin 2025 në 4.6% në vitin 2026, shumë nën mesataren prej 6.7% të regjistruar para pandemisë.
Raporti gjithashtu thekson rëndësinë në rritje të faktorëve financiarë në tregjet e mallrave, veçanërisht sistemet ushqimore. Për disa kompani të mëdha tregtare ushqimore, më shumë se 75% e të ardhurave tani vijnë nga operacionet financiare, jo nga lëvizja e grurit, kafesë, kakaos ose kulturave të tjera.

Ekonomitë në zhvillim parashikohet të rriten me 4.3%, më shpejt se ekonomitë e përparuara. Jugu global tani gjeneron më shumë se 40% të prodhimit botëror, gati gjysmën e tregtisë globale të mallrave dhe më shumë se gjysmën e flukseve globale të investimeve.
Megjithatë, vendet në zhvillim mbajnë vetëm 25% të vlerës së tregut financiar global.
Raporti i Tregtisë dhe Zhvillimit 2025 përshkruan një sërë reformash praktike për të zvogëluar cenueshmërinë financiare dhe për të harmonizuar më mirë tregtinë, financat dhe zhvillmin.
Këto reforma praktike përfshijnë përditësimin e rregullave tregtare për ekonominë e sotme, duke përfshirë shërbimet, tregtinë digjitale, veprimet klimatike dhe strategjitë e reja industriale; reformimin e sistemit monetar ndërkombëtar për të kufizuar luhatjet e dëmshme në monedha dhe flukset e kapitalit; forcimin e tregjeve rajonale dhe vendase të kapitalit në mënyrë që vendet në zhvillim të mund të mbledhin financim afatgjatë të përballueshëm, si edhe përmirësimin e transparencës në tregtinë e mallrave dhe zgjerimin e aksesit në financim tregtar të përballueshëm, veçanërisht për bizneset e vogla./K.M
