Një histori e pazakontë e drejtuesve të shërbimit inteligjent shqiptar: Irakli Koçollari, Bashkim Gazidede, Fatos Klosi dhe tani Vlora Hyseni. Katër emra, katër episode të ndryshme dhe një institucion ku çdo përballje me drejtësinë merr përmasa përtej fatit personal të një zyrtari.
Për tri dekada, Shërbimi Informativ i Shtetit ka qenë një nga institucionet më të mbyllura dhe më të rëndësishme të arkitekturës së sigurisë në Shqipëri. Por, në historinë e tij, disa prej njerëzve që kanë drejtuar këtë institucion janë përballur vetë me hetime, procedime penale, urdhër-arreste apo masa sigurie.
Në bilancin e 30 viteve dalin të paktën katër drejtues të SHIK/SHISH: Irakli Koçollari, Bashkim Gazidede, Fatos Klosi dhe së fundmi Vlora Hyseni.
Rastet nuk kanë të njëjtin përfundim juridik. Njëri u dënua me burg, ndaj një tjetri akuzat u pushuan pas disa vitesh hetim, një tjetër u shpall i pafajshëm dhe rasti më i fundit është ende në fazën e hetimit.
Por ajo që i bashkon është fakti se të katër rastet kanë prekur, në mënyra të ndryshme, funksionimin, informacionin ose përgjegjësinë e drejtimit të shërbimit inteligjent shqiptar.
Irakli Koçollari – dokumentet e ish-Sigurimit dhe dënimi me burg
Historia nis me Irakli Koçollarin, drejtuesin e parë të SHIK-ut në vitet 1991–1992.
Në mars 1996, Koçollari u arrestua së bashku me ish-ministrin e Brendshëm Vladimir Hysi, në një çështje që lidhej me asgjësimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit.
Nuk bëhej fjalë për dokumentacion të zakonshëm administrativ. Në qendër të çështjes ishin materiale të ish-shërbimit sekret komunist, të lidhura me ndjekjen, survejimin dhe veprimtarinë e Sigurimit të Shtetit.
Sipas raportimeve të publikuara ndër vite, bëhej fjalë për mijëra dokumente të zhdukura ose të asgjësuara. Një pjesë e materialeve lidhej edhe me periudhën kur shërbimi sekret ishte ende nën varësinë e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Koçollari u dënua me 6 vite burg për asgjësimin e informacionit dhe doli nga burgu në vitin 1997, në rrethanat e trazirave dhe amnistisë së asaj periudhe.
Rasti i parë i një drejtuesi të shërbimit inteligjent shqiptar që përfundonte në burg lidhej kështu me një prej kapitujve më të ndjeshëm të tranzicionit: fatin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit.
Bashkim Gazidede – urdhër-arresti dhe akuzat për vitin 1997
Pas Koçollarit, në krye të SHIK-ut erdhi Bashkim Gazidede, i cili e drejtoi institucionin nga viti 1992 deri në vitin 1997.
Emri i tij do të rikthehej në qendër të vëmendjes një vit pas largimit nga detyra.
Në gusht 1998, prokurori i atëhershëm Aleksandër Goga nxori urdhër-arrest ndaj Gazidedes në kuadër të hetimeve për ngjarjet e vitit 1997. Ndaj tij u ngritën akuza të rënda, ndër të tjera për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, si edhe akuza të lidhura me ushtrimin e detyrës. U ndërmorën gjithashtu procedura për shpalljen e tij në kërkim ndërkombëtar.
Por ky rast nuk përfundoi me një dënim penal.
Pas rreth pesë vitesh hetime, në korrik 2003 procedimi ndaj Gazidedes u pushua. Akuzat nuk u provuan në një proces gjyqësor që të përfundonte me vendim fajësie dhe Gazidede nuk mori një dënim penal të formës së prerë për to.
Pra, në historinë e katër drejtuesve, rasti i Gazidedes është i rëndësishëm pikërisht për dallimin mes një akuze të rëndë dhe një fajësie të provuar gjyqësisht.
Fatos Klosi – procedimi për shpërdorim detyre dhe pafajësia
Në vitin 1997, drejtimin e SHISH-it e mori Fatos Klosi, i cili qëndroi në detyrë deri në vitin 2002.
Pas largimit nga posti, edhe ai u përball me një procedim penal.
Në nëntor 2002, Klosi u procedua për shpërdorim detyre, në një çështje që lidhej me administrimin e fondeve të institucionit dhe një dëm ekonomik të pretenduar prej rreth 600 milionë lekësh.
Në përfundim të hetimit, Prokuroria kërkoi dënimin e tij me një gjobë prej 1 milion lekësh.
Por çështja përfundoi pa dënim.
Më 1 qershor 2004, Gjykata e Tiranës e shpalli Fatos Klosin të pafajshëm.
Kështu, në historikun e drejtuesve të SHIK/SHISH, Klosi është një tjetër rast ku procedimi penal nuk përfundoi me një vendim fajësie.
Vlora Hyseni – drejtuesja e SHISH-it nën masën “arrest në shtëpi”
Më 2023, drejtimin e SHISH-it e mori Vlora Hyseni, duke u bërë gruaja e parë në krye të këtij institucioni.
Tre vjet më vonë, emri i saj vendoset në qendër të një prej goditjeve më të forta ndaj drejtimit të shërbimit inteligjent shqiptar.
Më 21 shtator 2026, me kërkesë të SPAK, GJKKO caktoi ndaj Hysenit masat e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe “pezullim i ushtrimit të një detyre ose shërbimi publik”. Sipas njoftimit të SPAK, ajo është person nën hetim për veprat penale “përkrahja e autorit të krimit” dhe “zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.
Çështja është pjesë e një procedimi penal të vitit 2025 që lidhet me hetimet e SPAK për dosjen e AKSHI-t. Në të njëjtin operacion janë kryer kontrolle dhe janë marrë masa edhe ndaj personave të tjerë, ndërsa është kontrolluar banesa e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Kur masa u bë publike, Hyseni ndodhej jashtë Shqipërisë, në Baku, për një vizitë pune. Hyseni është futur në territorin e Kosoves në pikën e kalimit kufitar në Vërmicë. Nga kjo pikë Vlora Hyseni u shoqërua drejt Shqipërisë.
Vlora Hyseni, është zyrtarisht në hetim nga SPAK, e pezulluar nga detyra dhe e detyruar të izolohet në shtëpi.
Katër drejtues, katër histori të ndryshme
Nëse vendosen përballë njëri-tjetrit, katër rastet japin një tablo të pazakontë:
Irakli Koçollari – u arrestua dhe u dënua me 6 vite burg për çështjen e asgjësimit të dokumenteve të ish-Sigurimit.
Bashkim Gazidede – u përball me urdhër-arrest dhe akuza të rënda për ngjarjet e vitit 1997, por procedimi ndaj tij u pushua në vitin 2003.
Fatos Klosi – u procedua për shpërdorim detyre, por Gjykata e Tiranës e shpalli të pafajshëm në vitin 2004.
Vlora Hyseni – ndodhet nën masën e “arrestit në shtëpi” dhe është pezulluar nga detyra, ndërsa ndaj saj vijon hetimi për akuzat e ngritura nga SPAK.
Pra, nuk bëhet fjalë për katër raste me të njëjtin rezultat juridik. Bëhet fjalë për katër drejtues të institucionit më të rëndësishëm shqiptar të inteligjencës që, në periudha të ndryshme, janë përballur me drejtësinë penale.
Dhe pikërisht këtu qëndron pesha e historisë.
Nga dokumentet e komunizmit te të dhënat sekrete
Në rastin e Koçollarit, në qendër ishin dokumentet e ish-Sigurimit.
Te Gazidede, akuzat lidhen me përgjegjësi të pretenduara për ngjarjet e vitit 1997.
Te Klosi, çështja lidhej me administrimin e fondeve të institucionit.
Ndërsa në rastin e Hysenit, SPAK flet për informacion sekret dhe përkrahje të autorit të krimit.
Janë katër episode të ndryshme, të ndara nga dekada, por të gjitha prekin një pikë delikate: çfarë ndodh kur drejtuesi i një shërbimi inteligjent bëhet vetë objekt i një procedure penale?
Pyetja është veçanërisht e rëndësishme në rastin e Hysenit, sepse SHISH nuk është një institucion i zakonshëm administrativ. Ai funksionon në një fushë ku informacioni i klasifikuar, burimet njerëzore dhe besimi institucional janë pjesë e vetë arkitekturës së sigurisë.
Një goditje për besimin institucional?
Rasti i Hysenit ka hapur tashmë edhe debatin për pasojat që një procedim ndaj drejtueses së shërbimit mund të ketë për vetë institucionin.
Eksperti i sigurisë Arjan Dyrmishi ka argumentuar se një çështje e tillë mund të dëmtojë reputacionin dhe integritetin e institucioneve dhe besimin mes tyre, duke vënë në dukje edhe dimensionin e bashkëpunimit ndërinstitucional në një vend anëtar të NATO-s.
Por përtej deklaratave politike dhe interpretimeve publike, pasojat konkrete të çështjes së Hysenit mbeten për t’u përcaktuar nga hetimi dhe procesi gjyqësor.
Në këtë fazë, një gjë është e sigurt: për herë të katërt në historinë e shërbimit inteligjent shqiptar, një drejtues i tij përballet me drejtësinë.
Ndryshimi është se këtë herë çështja nuk lidhet me dokumentet e një regjimi që ka përfunduar, as me fondet e institucionit.
Në qendër janë sekretet e shtetit dhe një nga dosjet më të ndjeshme të hetimeve të SPAK-ut.
Dhe historia e 30 viteve të SHIK/SHISH tashmë ka një kapitull të ri, ende të pambyllur./fjala.al-ad
