Last Updated on 15/10/2026 by Anisa
Gazetari Elton Qyno shprehet në mbështetje të protestës dhe të rinjve që po kundërshtojnë qeverinë Rama, por paralajmëron kundër përshkallëzimit të situatës dhe përsëritjes së vitit 1997. Ai kërkon një zgjidhje të shpejtë politike, duke theksuar se vendi nuk mund të vijojë mes dhunës policore dhe shkatërrimit të pronës nga protestuesit.
Përmes një reagimi, Elton Qyno ka shprehur mbështetjen e tij për protestën e të rinjve, prindërve dhe qytetarëve që kundërshtojnë qeverinë, duke e bërë të qartë se është kundër çdo skenari që mund ta çojë Shqipërinë drejt një krize të ngjashme me atë të vitit 1997.
“Jam totalisht “pro” protestës dhe shpirtit të të rinjve, prindërve dhe kujdo që proteston kundër kësaj qeverie trinomi Rama-Bela-Gysi”, shkruan Qyno, ndërsa thekson se një përsëritje e vitit 1997 do ta kthente vendin shumë vite pas dhe do t’i shkaktonte dëme të jashtëzakonshme shoqërisë.
Sipas gazetarit, mandatet parlamentare që ka sot mazhoranca nuk mund të shërbejnë si arsye për të injoruar krizën dhe pakënaqësinë qytetare.
“Ato 84 mandatet që i ka mbreti sot nuk vlejnë për asgjë”, shprehet ai, duke kërkuar që zgjidhja të vijë përmes vendimeve politike dhe një procesi zgjedhor që garanton votë të drejtë dhe jo të deformuar.
Qyno vlerëson se situata nuk duhet të vazhdojë në këtë mënyrë dhe se përgjegjësia për qetësimin e saj u takon kampeve politike, të cilat, sipas tij, duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të shmangur përshkallëzimin.
“Duhet një hap pas që vendi të shkojë drejt një zgjidhjeje me votë të drejtë dhe jo të deformuar. Kjo situatë nuk duhet të zgjasë më kështu, por duhet një zgjidhje përmes vendimeve politike”, thekson gazetari.
Në reagimin e tij, ai ndalet edhe te përplasjet mes policisë dhe protestuesve, duke kundërshtuar vijimin e një situate ku, nga njëra anë, qytetarët përballen me dhunën e policisë dhe, nga ana tjetër, protestuesit përfshihen në akte shkatërrimi.
“Sepse nuk mund të ecet nga njëra anë policia kap e dhunë dhe nga ana tjetër protestuesit kap, thyej e shkatërro.”
Në përfundim, Elton Qyno bën thirrje për vendime politike urgjente, duke argumentuar se vetëm një zgjidhje politike mund të ndihmojë në qetësimin e situatës dhe të parandalojë pasoja të rënda për vendin./ad
