Last Updated on 22/09/2025 by adminfjala
Alzheimeri po shihet gjithnjë e më shumë si një nga sfidat më të mëdha shëndetësore të shekullit. Me plakjen e popullsisë në mbarë botën, numri i të prekurve po rritet me shpejtësi. Vetëm në Shtetet e Bashkuara, parashikohet që rastet të kalojnë nga rreth 7.2 milionë në vitin 2025 në pothuajse 18.8 milionë deri në vitin 2050. Kjo do të sjellë jo vetëm pasoja të mëdha shëndetësore, por edhe një barrë të jashtëzakonshme ekonomike: kostoja vjetore e trajtimit dhe kujdesit për pacientët pritet të arrijë mbi 1.5 trilionë dollarë, krahasuar me 226 miliardë në vitin 2015.
Sëmundja shpesh fillon në heshtje. Përpara se të shfaqen shenjat e para, harresa e çelësave, fatura të papaguara apo fjalë që humbasin në mes të një bisede, ndryshimet në tru kanë nisur prej vitesh. Pllakat e proteinës amiloide grumbullohen mes neuroneve, ndërsa fijet e proteinës tau ngatërrohen brenda qelizave nervore. Këto dy shenja, të përshkruara për herë të parë në vitin 1906 nga mjeku Alois Alzheimer, janë sot “shenjat dalluese” të sëmundjes, përcjell dritare.net
Për dekada, studiuesit kanë kërkuar mënyra për të pastruar pllakat amiloide, me shpresën se kjo mund të ndalë ose të kthejë pas procesin e sëmundjes. Disa ilaçe të reja, të miratuara nga FDA, kanë treguar se ngadalësojnë rënien mendore me rreth 30 për qind, por ende nuk e ndalin plotësisht Alzheimerin. Për më tepër, jo të gjithë ata që kanë pllaka amiloide zhvillojnë demencë, duke e bërë sfidën edhe më të ndërlikuar.
Përballë kësaj situate, laboratorët kërkimorë në Harvard dhe në spitale të tjera të mëdha po eksplorojnë qasje të reja dhe teknologji më të avancuara:
Inteligjenca artificiale po përdoret për të analizuar miliona të dhëna gjenetike dhe biologjike, duke identifikuar gjene dhe nëntipe të ndryshme të sëmundjes që mund të kërkojnë trajtime të personalizuara. Modelet e reja kompjuterike po tregojnë se Alzheimeri nuk është një sëmundje unike, por një grup nën-tipesh të mbivendosura që ndikohen nga gjenetika, metabolizmi, shëndeti i enëve të gjakut, inflamacioni dhe madje faktorë socialë si depresioni apo izolimi.
Testet e gjakut dhe pajisjet e monitorimit të trurit në kohë reale po ofrojnë mënyra të reja për të ndjekur nga afër vdekjen e neuroneve dhe për të kuptuar nëse trajtimet funksionojnë. Eksperimentet në modelet me minj po tregojnë se këto teknologji mund të zbulojnë ndryshime javë pas jave dhe potencialisht të parashikojnë momentin kur sëmundja përparon.
Studime të reja po shqyrtojnë mungesën e lithiumit si një shkak të mundshëm të sëmundjes. Hulumtimet e fundit tregojnë se ky mineral, që ndodhet natyrshëm në tru dhe përdoret në trajtimin e çrregullimeve të humorit, mund të mbrojë qelizat nervore nga dëmtimi. Në testet laboratorike, trajtimi me forma të veçanta të lithiumit ka arritur të përmirësojë simptomat tek minjtë me shenja të hershme të Alzheimerit.
Përveç kërkimeve për barna të reja, studiuesit po e shohin me interes edhe faktorët mbrojtës. Vaksina BCG, e përdorur tradicionalisht kundër tuberkulozit, është lidhur me një rrezik 20 për qind më të ulët për të zhvilluar demencë, sidomos tek njerëzit mbi 70 vjeç. Një tjetër pistë premtuese është terapia gjenetike për të futur formën mbrojtëse të gjenit ApoE2 te pacientët që kanë variantin më të rrezikshëm, ApoE4.
Gjithashtu, mënyra e jetesës mbetet një armë e fuqishme. Studime të reja kanë treguar se dieta e shëndetshme, aktiviteti fizik, mbajtja nën kontroll e tensionit të lartë, kolesterolit dhe diabetit, si dhe shmangia e depresionit apo izolimit shoqëror, mund të parandalojnë ose të vonojnë deri në 45 për qind të rasteve të Alzheimerit. Një studim i fundit madje gjeti se ndryshime intensive në stilin e jetës për vetëm 20 javë mund të përmirësojnë biomarkerët e sëmundjes dhe funksionin njohës tek pacientët në fazat e hershme.
Megjithëse asnjë nga këto qasje nuk ofron ende një kurë të plotë, shkencëtarët janë më optimistë se kurrë. Kombinimi i teknologjive të reja, terapive gjenetike, vaksinave dhe masave parandaluese po hap rrugën drejt trajtimeve më efektive. Shumë studiues besojnë se, me ritmin aktual të përparimit, trajtime shumë më të fuqishme dhe të personalizuara për Alzheimerin mund të bëhen realitet brenda pak viteve të ardhshme./E.T
