Katër ditë para asaj që do të kishte qenë ditëlindja e saj e 100-të, legjendat e Hollivudit dhe njerëzit që e njohën nga afër rikthejnë në kujtesë Marilyn Monroe-n jo vetëm si ikonë të ekranit, por si një grua të ngrohtë, mbështetëse dhe thellësisht empatike, përtej shkëlqimit të studios.
Ellen E Jones
Një grua mund ta njohësh edhe nga njerëzit me të cilët zgjedh të rrethohet. Gjatë muajve të fundit kam folur me disa prej atyre që u gjendën pranë Marilyn Monroe-s gjatë 36 viteve të saj të jetës. Në pamje të parë, këtë e bëja për një dokumentar radiofonik që përkon me 100-vjetorin e lindjes së saj. Por kisha edhe një kuriozitet personal: të kuptoja nëse, në një jetë tjetër, unë dhe Marilyn do të kishim mundur të ishim mike.
Gjëja e parë që duhet thënë për shoqet e Monroe-s është se ajo kishte shumë. Fakti që, më shumë se gjashtë dekada pas vdekjes së saj, ende gjenden njerëz që e kanë njohur nga afër dhe mund të intervistohen, thotë shumë për jetën e saj të pasur me marrëdhënie njerëzore. Kjo është edhe më e habitshme duke pasur parasysh imazhin e saj si një perëndeshë e paarritshme e ekranit, që vështirë se lidhet me idenë e miqësive të zakonshme femërore.
Megjithatë, Monroe ishte me të vërtetë ajo që sot do ta quanim “girl’s girl”, një grua që krijonte lidhje të forta me gratë e tjera.
Amy Greene, ish-modele dhe e veja e fotografit Milton Greene, me të cilin Marilyn themeloi kompaninë e saj të prodhimit “Marilyn Monroe Productions”, kujton vitet kur jetuan së bashku në mesin e viteve ’50. Në atë kohë, shumë e shihnin me skepticizëm këtë afërsi. “Shoqet më thoshin: ‘Je e çmendur që e ke atë grua në shtëpinë tënde?’ Unë u përgjigjesha: ‘Çfarë po thoni? Nuk ka asgjë të tillë mes nesh. Jemi vetëm partnere pune!’ Dhe kur u njohëm më mirë dhe u bëmë mike të vërteta, e dija se ajo nuk do të më lëndonte kurrë, nuk do të ndërhynte në martesën time.”
Miqësitë femërore zënë një vend të rëndësishëm edhe në filmat e saj. Në “How to Marry a Millionaire” (1953), ajo shfaqet përkrah Lauren Bacall dhe Betty Grable, në një dinamikë të ngjashme me miqësitë moderne femërore në ekran. Në “Bus Stop”, marrëdhënia e saj me personazhet femra është po aq domethënëse, ndërsa në “Gentlemen Prefer Blondes” ajo luan përkrah Jane Russell, një tjetër ikonë e kohës.
Monroe nuk paguhej njësoj si Russell, pavarësisht famës së saj, por kjo nuk pengoi lindjen e një miqësie të sinqertë mes tyre, e cila vazhdoi edhe pas xhirimeve. Në kujtimet e saj, Russell përshkruan një ditë të thjeshtë në plazh me Marilyn: “Pimë verë, dëgjuam muzikë dhe qeshëm duke folur për problemet tona… Mendova se sa do të doja të kisha numrin e saj, sepse ajo i përkiste atij vendi ku njerëzit qeshin me dhimbjet e tyre.” Ishte gusht 1962. Të nesërmen, Russell mori lajmin për vdekjen e Monroe-s.
Jo të gjitha marrëdhëniet e saj në Hollywood ishin kaq të afërta. Mamie Van Doren, e prezantuar dikur si “përgjigjja e Universal ndaj Marilyn Monroe-s”, kujton se e takonte shpesh rivalen e saj të supozuar. Ajo e përshkruan Monroe-n si një grua të ngrohtë dhe pa ligësi, por thekson gjithashtu solidaritetin e heshtur mes grave të reja në një industri të dominuar nga burrat: “Ne kishim të njëjtat probleme. E dinim çfarë pritej nga ne nëse donim role. Ajo përballej me më shumë presion se unë.”
Sa i përket marrëdhënieve me burrat, publiku ka dëgjuar shpesh për lidhjen e saj me John F. Kennedy. Megjithatë, sipas dëshmive të miqve të saj, ndikimi i tij në jetën emocionale të Monroe-s është shpesh i mbivlerësuar në raport me rëndësinë e marrëdhënieve të saj të tjera.
Më të rëndësishëm për të ishin miqtë dhe bashkëpunëtorët platonikë, si fotografi Lawrence Schiller, me të cilin punoi në një prej seteve të saj më të diskutueshme fotografike. Një tjetër figurë e afërt ishte Sam Shaw, autori i fotografisë së famshme ku ajo qëndron mbi një rrjetë metroje me fustanin e bardhë të ngritur nga era. Në librin e tij pas vdekjes, ai e përshkruan suksesin e imazhit si kombinim të ndjenjës së saj për dritën, humorit dhe spontanitetit.
Vajza e Shaw, Edie, kujton një Monroe të butë dhe të shumëanshme, e aftë të përshtatej me çdo situatë: “Ajo fliste me ty në nivelin tënd. Me një fëmijë ishte e ëmbël dhe e thjeshtë. Me drejtues studioje ishte e fortë dhe e vendosur. Ajo mund të ishte shumë Marilyn.”
Dëshira e saj për të pasur fëmijë shpesh është parë si një nga tragjeditë e jetës së saj. Por disa nga miqtë e saj besonin se kjo dëshirë ishte më shumë e lidhur me një ideal sesa me realitetin. Ajo e donte idenë e fëmijëve, por jo domosdoshmërisht rolin e nënës në kuptimin tradicional.
Në jetën e saj, megjithatë, ajo kishte fëmijë emocionalë, lidhje të ngushta dhe marrëdhënie të thella që zëvendësonin familjen tradicionale. Ditën e vdekjes së saj, ajo kaloi orë në telefon duke ngushëlluar djalin e ish-bashkëshortit të saj, Joe DiMaggio.
Kur të gjitha këto kujtime bashkohen, del një portret shumë më i ndryshëm nga miti i Hollywood-it: jo historia e një simboli seksi të vetmuar dhe të shkatërruar nga fama, por e një gruaje të gjallë, të mençur, të ndjeshme dhe krijuese. Marilyn Monroe, sipas atyre që e njohën, ishte shumë më tepër sesa imazhi i saj publik. Dhe kushdo që e njihte nga afër, do ta konsideronte veten me fat.
