Last Updated on 30/01/2026 by David
Këtë të premte në mesditë u hodh shorti për fazën e play off të Uefa Champions League, teksa 16 skuadrat e kualifikuara në këtë fazë njohën fatin e tyre në rrugëtimin evropian të këtij sezoni. Finalistët e sezonit të shkuar, italianët e Interit do duhet të sfidojnë Bodo Glimt. Ndeshje e lehtë në pamje të parë për skuadrën e drejtuar nga Christian Chivu, por norvegjezët kanë shfaqur rritje cilësore në sfidat e fundit, teksa kanë mundur Cityn dhe Atletico Madridin.
Real Madrid, 15 herë fitues i Ligës së Kampionëve do të ndeshet sërish me Benficën. Vetëm pak ditë pas asaj përballje ku Benfica e Mourinhos triumfoi 4-2, shqiponjat e Lisbonës do duhet të sfidojnë sërish “Los Blancos”, këtë here në play off. Derbi francez në këtë fazë të play off, me kampionët në fuqi të PSG, që do të vihen përballë ekipit nga principata Monaco.
Bardhezinjtë e Spallettit do të kenë përballë turqve të Galatasarayt. Një përballje jo e lehtë, po të mbahet në konsideratë precedentët në të kaluarën ekipi nga Stambolli i ka eleminuar torinezët. Atletico Madrid ndërkohë do të sfidojnë ekipin belg të Club Brugge. Bergamaskët e Atalantës do të kenë një sfidë të vështirë teksa do të përballen me Borussia Dortmund, ndërsa gjermanët e tjerë të Leverkusen do të jenë favoritë në letër, teksa do të sfidojnë grekët e Olympiacos. Kujtojmë që sfidat e para të fazëz play off në Champions League do të zhvillohen më 17 e 18 shkurt, ndërsa ato të kthimit 7 ditë më pas./ D.C
