Last Updated on 20/11/2026 by Monika
Më 6 dhjetor, në Belfast të Irlandës së Veriut, do të hidhet shorti për fazën kualifikuese të Kampionatit Europian 2028. Shqipëria e pret këtë short nga vazoja e tretë, me mundësinë për t’u pozicionuar në një grup me 4 ose 5 skuadra.
Bazuar në renditjen e FIFA-s, kundërshtari teorikisht më i favorshëm për kuqezinjtë nga vazoja e parë do të ishte Greqia, e cila aktualisht renditet në vendin e 40-të. Nga vazoja e dytë, përfaqësuesja më e favorshme në letër konsiderohet Irlanda e Veriut.
Në vazot e tjera, kombëtaret e San Marinos dhe Lihtenshtajnit do të plotësonin grupin më të lehtë të mundshëm për skuadrën kuqezi. Nga ana tjetër, në rast të një shorti të pafavorshëm, skenari më i vështirë do ta vendoste Shqipërinë në një grup me Spanjën, Zvicrën, Finlandën dhe Azerbajxhanin.
Këto kombinime mbeten vetëm projeksione në letër përpara hedhjes zyrtare të goglave në Belfast. Ceremonia e 6 dhjetorit do të përcaktojë përfundimisht kundërshtarët dhe rrugëtimin që Kombëtarja shqiptare duhet të përshkojë drejt Europianit 2028./mxh
