Last Updated on 27/02/2026 by Monika
Është caktuar me short trupa gjykuese që do të shqyrtojë çështjen penale ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, si dhe 29 personave të tjerë të pandehur.
Trupa përbëhet nga gjyqtaret Ëngjëllushe Tahiri, Alma Kodraliu dhe Rudina Palloj. Çështja do të shqyrtohet nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila më 9 shkurt vendosi kalimin për gjykim të dosjes në ngarkim të Veliajt dhe të pandehurve të tjerë.
Veliaj ndodhet në paraburgim në institucionin e vuajtjes së dënimit në Durrës prej rreth një viti.
Gjykatat e të gjitha niveleve kanë lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”, me argumentin se ekziston rreziku i prishjes së provave nëse i pandehuri lihet i lirë.
Sipas akuzës, Veliaj dyshohet për korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim të produkteve të veprës penale, fshehje pasurie si dhe futje të sendeve të ndaluara në ambientet e paraburgimit.
Nga ana tjetër, gjatë kësaj periudhe njëvjeçare pas arrestimit, Veliaj ka reaguar publikisht përmes deklaratave dhe qëndrimeve të tij, duke kundërshtuar akuzat dhe duke kritikuar organet e drejtësisë.
