Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, reagoi ndaj protestave më të fundit në vend, të nxitura nga përkeqësimi i kushteve ekonomike, duke thënë se ka udhëzuar ministrin e Brendshëm të zhvillojë bisedime me protestuesit.
Në një postim në platformën X, Pezeshkian sqaroi se i ka kerkuar ministrit Ahmad Vahidi, të “dëgjojë kërkesat legjitime të tubuesve” dhe të ndihmojë qeverinë që të “reagojë me përgjegjësi”. Pezeshkian shton se përmirësimi i jetesës së qytetarëve mbetet “shqetësimi i tij i përditshëm” dhe se reformat në sistemin bankar dhe monetar janë pjesë e axhendës.
Megjithatë, mbetet e paqartë se si do të funksionojë dialogu që ai ka propozuar ose nëse mund t’i frenojë protestat, të cilat po marrin gjithnjë e më shumë një ton politik, shkruajnë mediat e huaja. Trazirat nisën nga zemërimi për rritjen e fortë të çmimit të dollarit amerikan dhe rënien e rialit vendas, por më pas u zgjeruan shpejt duke u përhapur thuajse në të gjithë vendin, e madje duke marrë kthesë të dhunshme në disa qytete.
Në një pohim të rrallë të operacioneve të tij të fshehta brenda Iranit, agjencia izraelite e spiunazhit, Mossad sipas The Times, i bëri thirrje iranianëve të protestojnë kundër regjimit të Republikës Islamike. “Dilni të gjithë bashkë nëpër rrugë. Koha ka ardhur,” shkroi Mossad duke shtuar: Ne jemi me ju, jo thjesht larg dhe vetëm me fjalë. Ne jemi me ju në terren.”/KM
