Tajlanda ka nisur disa sulme ajrore kundër Kamboxhias pas përplasjeve të reja në kufi, ku një ushtar tajlandez humbi jetën dhe të paktën tetë të tjerë u plagosën. Ngjarjet e fundit kanë rikthyer tensionet e ashpra mes dy vendeve, të cilat vetëm pak muaj më parë u përfshinë në një konflikt pesë-ditor që shkaktoi 48 viktima dhe zhvendosi rreth 300 mijë persona.
Siç raporton BBC, ushtria mbretërore tajlandeze konfirmoi se ka kryer këtë të hënë, 8 dhjetor, disa sulme ajrore përgjatë zonës së diskutuar të kufirit, si përgjigje ndaj asaj që e cilëson si veprimtari ushtarake kërcënuese nga Kamboxhia.
Ushtria tha se objektivi i sulmeve ajrore ishin “vetëm objekte ushtarake”, duke theksuar se shmangia e viktimave civile ka pasur “prioritet të lartë”.
Autoritetet kamboxhiane e kundërshtojnë versionin tajlandez, duke deklaruar se ishte Tajlanda ajo që nisi e para sulmin. Sipas tyre, trupat kamboxhiane “nuk e kanë kthyer zjarrin”.
Zyrtarë në provincën kufitare Oddar Meanchey thanë se tre civilë kamboxhianë janë plagosur nga sulmet e ushtrisë tajlandeze dhe se po kryhet evakuimi mjekësor./kb
