Një shpërthim në një fabrikë fishekzjarrësh në provincën Hunan të Kinës ka vrarë 21 persona dhe ka lënë 61 të plagosur, sipas mediave shtetërore.
Shpërthimi në uzinën e fishekzjarrëve Huasheng ndodhi rreth orës 16:40 sipas orës lokale (08:40 GMT) të hënën, në qytetin Liuyang, duke bërë që ekipet e shpëtimit të evakuonin të gjithë ata që ndodheshin brenda një rrezeje prej 3 km nga impianti.
Autoritetet vendosën gati 500 persona për të kryer operacione kërkim-shpëtimi dhe për të trajtuar të plagosurit, ndërsa robotët u përdorën për të ndihmuar në gjetjen e atyre që ishin bllokuar brenda ndërtesës.
Policia, e cila po heton shkakun e shpërthimit, ka marrë “masa kontrolli” kundër personit përgjegjës për kompaninë e fishekzjarrëve, raportuan mediat shtetërore kineze.
Autoritetet thanë se dy depo baruti brenda zonës së fabrikës përbënin një rrezik të lartë mes përpjekjeve të shpëtimit, raportuan mediat shtetërore.
Ekipet e shpëtimit u detyruan të evakuonin të gjithë personat brenda një rrezeje prej 3 km (1.9 mi) nga impianti i fishekzjarrëve. Ata gjithashtu zbatuan masa si lagështimi i zonës për të “parandaluar aksidentet dytësore gjatë shpëtimit”.
Ndikimi i shpërthimit ishte aq shkatërrues saqë dritaret e një ndërtese banimi pranë fabrikës u thyen gjithashtu, vuri në dukje një reporter i CCTV në një transmetim televiziv nga vendi i ngjarjes.
Mosha e të plagosurve varion nga të 20-at deri në të 60-at, dhe disa pësuan lëndime në kocka pasi u goditën nga mbeturinat fluturuese, tha raporti i CCTV.
Presidenti Xi Jinping ka kërkuar përpjekje të gjithanshme për të kërkuar njerëzit që ende nuk janë gjetur dhe për të shpëtuar të plagosurit. Xi bëri thirrje gjithashtu për një hetim të aksidentit për të vënë përpara përgjegjësisë ata që janë përgjegjës, raportuan mediat shtetërore.
Duke folur për Beijing News, një banor që jeton rreth 1 km larg fabrikës tha se fshatarët tani duhet të marrin rrugë të tërthorta pasi gurët u hodhën në rrugë.
“Dritaret prej xhami në shtëpitë tona ishin thyer, kornizat e dritareve prej alumini ishin deformuar dhe madje edhe dyert prej çeliku inox ishin shtrembëruar dhe kishin humbur formën e tyre”, tha ajo.
Një banore tjetër i tha medias se ishte larguar nga fshati nga frika.
Qyteti Liuyang është i njohur për prodhimin e fishekzjarrëve, i cili në raporte cilësohet si prodhuesi më i madh i fishekzjarrëve në botë.
Shpërthimet në fabrikat dhe dyqanet e fishekzjarrëve nuk janë të rralla në Kinë – dhe shpesh janë vdekjeprurëse. Në shkurt, 12 persona u vranë në një shpërthim në një dyqan fishekzjarrësh në provincën Hubei./kb
