Një shpërthim ka ndodhur këtë të martë, më 24 shkurt, jashtë një stacioni të madh treni në Moskë, që la të vrarë një oficer policie trafiku dhe plagosi dy të tjerë.
Ministria e Brendshme e Rusisë tha se oficerët po patrullonin në Sheshin e Stacionit Savyolovsky, në veri të qendrës së qytetit, kur “një pajisje e paidentifikuar u shpërthye” në orët e para të së martës.
Komiteti Hetues i Rusisë identifikoi të dyshuarin si një 22-vjeçar nga republika Udmurt e vendit, duke shtuar se një hetim është në zhvillim. Ende nuk është përcaktuar motivi. Presidenti rus Vladimir Putin tha se i dyshuari ishte rekrutuar në internet.
Putin tha gjatë një takimi të agjencisë së spiunazhit të brendshëm se sulmet terroriste po shtoheshin, kryesisht nga inteligjenca ukrainase. Megjithatë, sulmet që i atribuohen Ukrainës në Rusi zakonisht nuk kanë përfshirë bombardime vetëvrasëse.
Zëdhënësja e Komitetit Hetues, Svetlana Petrenko, tha se sulmuesi, që sipas saj ishte me origjinë ruse, kishte udhëtuar nga Shën Petersburgu në Moskë me tren të dielën. Ajo shtoi se komiteti po hetonte motivin e sulmit dhe nëse ai kishte bashkëpunëtorë.
Autori i sulmit dhe oficeri i policisë vdiqën në vendngjarje, shtoi Petrenko. Zyrtarët nuk kanë dhënë ende informacion shtesë mbi pajisjen shpërthyese.
Sulmuesi iu afrua oficerëve nga rrethina verilindore e Moskës, tha Ministria e Brendshme në një deklaratë. Një çështje penale është hapur kundër autorit për tentativë ndaj jetës së një oficeri të rendit dhe akuza të lidhura me pajisjen shpërthyese.
Agjencitë e rendit po punonin së bashku për të “përcaktuar të gjitha rrethanat”, shtoi ministria. Dy oficerët e plagosur u dërguan në spital “me lëndime të ndryshme” pas shpërthimit. Burime mjekësore i thanë agjencisë së lajmeve Tass se oficerët ishin në gjendje të rëndë.
Ministria identifikoi oficerin e vrarë si 34-vjeçarin, toger i policisë Denis Bratuschenko, inspektor i lartë në policinë e trafikut. Ai ishte bashkuar me forcat në vitin 2019 dhe la pas gruan dhe dy fëmijët e tij, tha ministria.
“Drejtuesit dhe personeli i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Rusisë shprehin ngushëllimet e sinqerta për familjen,” lexohej në një deklaratë nga zëdhënësja e ministrisë, Irina Volk.
Kjo nuk është hera e parë që policët e trafikut janë vrarë nga një shpërthim në kryeqytetin rus. Në dhjetor, dy oficerë humbën jetën pasi një pajisje shpërthyese u aktivizua kur ata iu afruan një “individi të dyshimtë” për ta ndaluar./mxh
