Last Updated on 12/08/2026 by Anisa
Aktiviteti i vazhdueshëm i vullkanit Etna po shkakton probleme të mëdha në transportin ajror në Siçili, me mijëra udhëtarë që po përballen me anulime, vonesa dhe devijime të fluturimeve.
Aeroporti Fontanarossa i Katanias vijon të funksionojë me kufizime për shkak të hirit vullkanik dhe është mbyllur, me pezullimin e operacioneve të paktën deri në orën 18:00. Ende nuk ka një afat të qartë për rikthimin e plotë të fluturimeve.
Situata ka prekur rreth 30 mijë pasagjerë. Vetëm drejt aeroportit të Palermos janë devijuar rreth 190 fluturime, ndërsa udhëtarët po përballen me radhë të gjata dhe vështirësi për të gjetur transport alternativ.
Palermoja dhe Trapani kanë shërbyer si alternativat kryesore për fluturimet e devijuara, ndërsa edhe aeroporti i Comiso-s është detyruar të mbyllet për shkak të pranisë së hirit. Për udhëtarët, zhvendosja nga Catania drejt aeroporteve të tjera është kthyer në një sfidë, për shkak të autobusëve të mbushur, mungesës së makinave me qira dhe kostove të larta të taksive.
Ndërkohë, aktiviteti i Etnës po tërheq edhe vizitorë të shumtë pranë zonës së vullkanit, të cilët kërkojnë të shohin rrjedhat e lavës.
Sipas Qendrës Këshillimore për Hirin Vullkanik (VAAC) në Tuluzë, reja e hirit është ngritur në rreth 5,500 metra lartësi dhe po zhvendoset drejt jugut dhe jugperëndimit. Gjurmë të hirit janë regjistruar edhe përtej Italisë, deri në Maltë dhe Libi.
Autoritetet dhe kompanitë ajrore po monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa itineraret po ndryshohen në varësi të kushteve të sigurisë dhe lëvizjes së resë së hirit./ad
