Një shpërthim i sëmundjes së legjionarëve ka sëmurë dhjetëra njerëz në New York City teksa është regjistruar edhe viktima e pare. Zyrtarët nuk dhanë informacione shtesë në lidhje me identitetin, moshën e personit apo detaje se kur dhe si u sëmur viktima.
Hetuesit ende po përpiqen të përcaktojnë burimin e shpërthimit në Upper East Side të Manhattanit, i cili ka infektuar të paktën 67 persona dhe ka shtruar në spital dhjetëra të tjerë, sipas të dhënave të departamentit të shëndetësisë të qytetit.
Pjesa më e madhe e hetimeve është përqendruar në sistemet e ajrit të kondicionuar në majë të shumë ndërtesave të mëdha, të cilat mund të lëshojnë avuj uji që mbartin bakteret.
Sëmundja e legjionarëve, një formë e pneumonisë, është e shërueshme, por vret rreth 10% të pacientëve, sipas Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Vitin e kaluar, shtatë persona vdiqën dhe më shumë se 100 u sëmurën gjatë një shpërthimi në lagjen Harlem të Nju Jorkut.
Zyrtarët e qytetit filluan të gjurmonin shpërthimin aktual më 2 korrik, pasi dy persona u infektuan në zonë.
Qyteti thotë se testet kanë identifikuar baktere Legionella të gjalla ose të vdekura në kullat e ftohjes në më shumë se 75 ndërtesa në Upper East Side. Ato përfshijnë muze të shquara, shkolla private dhe apartamente të kushtueshme.
Ende nuk është e qartë se cilat prej tyre kontribuan në shpërthim, por të gjitha ndërtesave iu urdhërua të pastrojnë, kullojnë dhe dezinfektojnë kullat e ftohjes, të cilat janë pajisje që ndonjëherë përdoren për të ftohur ndërtesa të mëdha.
Bakteret Legionella rriten në ujë të ngrohtë dhe mund të përhapen në kullat e ftohjes, vaska të nxehta dhe kokat e dushit. Në shumë raste, njerëzit e marrin sëmundjen duke thithur pika të vogla të ujit të kontaminuar. Sëmundja e legjionarëve nuk përhapet nga personi në person./ad
