Të paktën 205 emigrantë janë shpëtuar brenda pak orësh në katër operacione të zhvilluara në jug të Kretës dhe pranë ishullit Gavdos, njofton Roja Bregdetare Greke.
Operacionet u kryen nën koordinimin e Qendrës së Përbashkët të Koordinimit të Kërkimit dhe Shpëtimit (EKSED), me mbështetjen e mjeteve ajrore pa pilot të agjencisë evropiane Frontex dhe të anijeve patrulluese të Rojës Bregdetare. Dy operacionet e fundit u zhvilluan gjatë mëngjesit, rreth 24 milje detare në jug të Gavdos, ku u shpëtuan gjithsej 102 persona nga dy mjete lundruese.
Në rastin e parë, një dron i Frontex identifikoi një varkë me 42 persona në bord. Ata u morën nga një anije patrulluese dhe u transportuan në portin e Paleochorës, në Hania. Në të njëjtën zonë u lokalizua edhe një varkë e dytë, me 60 persona, të cilët u shpëtuan dhe po transportoheshin drejt të njëjtit port.
Më herët, para agimit, ishin zhvilluar edhe dy operacione të tjera, ku u shpëtuan rreth 103 emigrantë. Operacioni i parë u krye rreth 50 milje detare në juglindje të Kala Limenas, ku u lokalizua një varkë me 54 persona. Pas shpëtimit, ata u transportuan në portin e Kala Limenas. Ndërsa operacioni i dytë u zhvillua rreth 24 milje detare në jugperëndim të Ierapetrës. Në një varkë u gjetën 49 persona, të cilët u shpëtuan nga Roja Bregdetare dhe u dërguan drejt portit të Ierapetrës.
Sipas autoriteteve greke, në të katër rastet, mjetet lundruese u pikasën fillimisht nga dronët e Frontex. Kushtet atmosferike në zonat ku u zhvilluan operacionet raportohen të kenë qenë të mira./k.m
