Në Izrael po shtohen shqetësimet për mënyrën se si funksionon qendra e re e koordinimit ushtarako-civil, e ngritur për të monitoruar marrëveshjen e armëpushimit në Gaza dhe për të menaxhuar dërgesat humanitare. Burime të siguruara nga “The Guardian” thonë se operativë izraelitë po kryejnë mbikëqyrje të gjerë ndaj forcave amerikane dhe aleate që punojnë brenda kësaj baze.
Raportohet se komandanti amerikan i qendrës, gjenerallejtënant Patrick Frank, ka thirrur një zyrtar izraelit për t’i kërkuar ndalimin e menjëhershëm të regjistrimeve të hapura dhe të fshehta të takimeve. Staf ushtarak dhe vizitorë nga vende të tjera janë paralajmëruar të shmangin diskutimin e informacionit të ndjeshëm nga frika se mund të përgjohet.
Ushtria izraelite e mohon mbledhjen e inteligjencës ndaj partnerëve, duke insistuar se mbajtja e protokolleve të takimeve është “transparente dhe e zakonshme”.
Qendra e Koordinimit Ushtarako-Civil (CMCC) u ngrit në tetor për të zbatuar planin 20-pikësh të administratës Trump mbi të ardhmen e Gazës. Aty punojnë trupa amerikane, izraelite dhe përfaqësues nga vende aleate si Britania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Por asnjë institucion palestinez nuk është pjesë e bisedimeve, pavarësisht se diskutohen çështje që prekin drejtpërdrejt jetën e popullsisë së Gazës.
Sipas burimeve, madje edhe përpjekjet për të përfshirë palestinezët në video-konferenca janë ndërprerë nga zyrtarë izraelitë. Dokumentet e planifikimit amerikan nuk përdorin termin “Palestinë” apo “palestinezë”, por vetëm “banorë të Gazës”.
Qendra ndodhet në një ndërtesë shumëkatëshe në zonën industriale të Kiryat Gat, rreth 20 kilometra nga Gaza. Hapësira e brendshme, me ambiente të mëdha pa drita dhe të ndara me tabela e whiteboard-e, i ngjan një “startup-i distopik”, sipas përshkrimeve të punonjësve. Disa prej tyre janë të shqetësuar se ndërthurja e misionit ushtarak me atë humanitar, si dhe mungesa e një mandati ndërkombëtar, mund të shkelë të drejtën humanitare.
Shumë nga ekspertët logjistikë amerikanë të dërguar për të përmirësuar qarkullimin e ndihmave janë larguar brenda pak javësh, pasi kuptuan se kontrollet e ushtrisë izraelite mbi hyrjen e mallrave në Gaza ishin pengesa kryesore. Ndër mallrat e bllokuara janë qenë edhe artikuj bazikë si pjesë për tenda, materiale për pastrimin e ujit, madje edhe fletore e lapsa për shkollat.
Megjithë skepticizmin dhe frikën e komprometimit, diplomatët thonë se pjesëmarrja në CMCC është e vetmja mënyrë për të ushtruar ndikim mbi politikat që prekin Gazën. “Nëse largohemi, vendimet mbeten vetëm në duart e izraelitëve dhe ushtarëve amerikanë që sapo kanë ardhur dhe njohin pak terrenin,” tha një diplomat i përfshirë në proces./mxh
