Last Updated on 19/04/2026 by Monika
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me studentë të shkollës franceze, Sciences Po. Në fokus të bashkëbisedimit ishin korrupsioni, ekonomia dhe integrimi europian i Shqipërisë.
Berisha u shpreh gjatë fjalës së tij se lufta kundër korrupsionit kërkon reforma strukturore, duke përmendur lehtësimin e procedurave administrative, uljen e taksave dhe përdorimin e teknologjisë për rritjen e transparencës në prokurimet publike.
Në lidhje me zhvillimet rajonale, Berisha kundërshtoi çdo ide për “integrim të diferencuar”, ndërsa theksoi se e ardhmja e Shqipërisë dhe Ballkanit mbetet anëtarësimi në BE.
Reagimi i plotë:
Pata kënaqësinë të mirëprisja, në një bisedë të gjatë dhe të zgjeruar, studentët e shkollës emërmadhe franceze të studimeve politike, Sciences Po.
Me të rinjtë, kryesisht francezë, por edhe nga kombësi të tjera europiane, diskutuam mbi aktualitetin në Shqipëri: skandalet e përsëritura të korrupsionit, procesin e integrimit europian, si dhe sfidat e Ballkanit, përfshirë demografinë.
Pyetjes së tyre se si Partia Demokratike e Shqipërisë do ta luftojë korrupsionin, iu përgjigja se kjo kërkon një kombinim reformash strukturore: ulje të barrës së licencave, funksionimin e regullt të sistemit “one-stop-shop”, reduktim taksash dhe perdorim të teknologjisë si blockchain për prokurim publik transparent dhe të gjurmueshëm.
Në diskutimin për ekonominë, theksova se praktika aktuale shpesh dekurajon pjesëmarrjen reale të kompanive europiane në tenderat publikë në Shqipëri. Kjo bie ndesh me frymën e tregut të përbashkët europian dhe me parimin e shtetit të së drejtës. Pa këto dy shtylla, nuk mund të flasim për integrim të vërtetë.
Në këtë kontekst, përmenda edhe letrën e përbashkët të Edi Ramës dhe Aleksandar Vu?i?it në mediat gjermane, e cila sugjeron një qasje që mund të perceptohet si integrim i diferencuar. Ky nuk është standardi që ne synojmë. U përsërita atyre sic bëj vazhdimisht se e ardhmja e Shqipërisë dhe e Ballkanit është, pa dyshim, në Bashkimi Evropian.
Pyetjes mbi qëndrimet e ‘ndonjë Ambasadori të lobuar’, që pretendon se opozita amplifikon skandalet e korrupsionit, iu përgjigja se ka të tillë që bëjnë mbrojtje pasionante të Edi Ramës, por vlerësimi i realitetit duhet të bazohet në fakte dhe në interesin publik, mbi çdo konsideratë tjetër.
U ndala gjithashtu te rasti i Kolegji i Evropës, duke theksuar se çdo çështje me interes publik kërkon transparencë dhe hetim të plotë, në funksion të standardeve europiane.
Në diskutimin mbi kujtesën post-komuniste, solla shembullin e Havzi Nelës — një poet që u ekzekutua në mënyrë tragjike me firmen e babait te Edi Rames dhe që meriton më shumë njohje në nivel europian.
Studentët e SciencesPo janë pjesë e Institutit të Studimeve Politike, cikli East European Studies, ku bëjnë pjesë profesorë e ekspertë ndër më të mirët në Europë për integrimin.
Drejtuesi i ciklit është njëkohësisht Drejtor i Qendrës Jacques Delors për Zgjerimin e BE./mxh
