Eksperti i sigurisë, Xhavit Shala, në një intervistë për emisionin “War Report” në ABC News, ka theksuar se rritja e kërcënimeve në rajon kërkon një përgatitje më të mirë të Shqipërisë në aspektin ushtarak. Sipas tij, përderisa Kosova është e kërcënuar indirekt nga Serbia edhe Shqipëria ndodhet nën të njëjtin rrezik në mënyrë të tërthortë.
Shala theksoi nevojën për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe përfshirjen e ushtrisë në rritjen e investimeve strategjike të vendit. Ai nënvizoi rëndësinë e krijimit të forcave rezerviste, duke përmendur se shumë shtete të zhvilluara i kanë këto struktura të konsoliduara, ndërsa Shqipëria duhet t’i rikthehet ndërtimit të tyre nga e para.
Eksperti kërkoi gjithashtu rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe rivendosjen e zborit, për t’u siguruar që popullsia të jetë e përgatitur për çdo situatë.
“Mendoj se përderisa Kosova është e kërcënuar indirekte nga Serbia edhe ne jemi të kërcënuar në mënyrë indirekte. Unë gjykoj që edhe në rritjet e investimeve të Shqipërisë duhet që të jetë edhe ushtria. Forcat rezerviste i kanë shumë vende, por ne i shkatërruam dhe po i kthehemi nga e para. Për rezervistët është llogaritur që të jetë rreth 8000 forca. Maqedoni ka 14500 forca rezerviste, kurse Shqipëria ka 10 mijë ushtarë në total dhe 6500 ushtarë në total.
Variantet më të mira të forcave rezerviste mund të përmendin Zvicrën, Irlanda,, por edhe Izraelin lidhur edhe me shkallën e kërcënimeve. Në Shqipëri duhet që të futet shërbimi i detyrueshëm ushtarak dhe të rikthehet zbori siç ishte dikur. Të përgatitet populli. Mendoj që të kopjojmë modelet më të mira që kanë vendet e NATO-s. Niveli i kërcënimeve është rritur dhe ne duhet që të përgatitemi shumë mirë në këtë fushë”, tha eksperti./kb
