21 kamionë qendrojnë prej disa ditësh të bllokuar në doganën e Hanit të Hotit në Shkodër, që lidh vendin tonë me Malin e Zi. Në këto kamionë gjenden plot 520 ton misër, që vendin e origjinës e ka në Serbi.
Ky misër është porositur nga disa kompani shqiptare të cilat më pas do ta shpërndanin në fermat blegtorale. AKU-ja e ka bllokuar misrin serb në bazë të një urdhri të ministrit tonë të Bujqësisë, Andi Salla, i cili kërkon ndalimin dhe kontrollin e produkteve të importuara nga Serbia.
Deri më tani janë kryer analiza për 4 ngarkesa, të cilat kanë rezultuar me nivel të lartë të aflatoksinës. Ndërsa pritet përgjigja e analizave për 17 ngarkesat e tjera.
“Është bllokuar e gjithë sasia deri në pritje të analizave zyrtare. Me përgjigjet e analizave më pas do të ketë një vendimmarrje ose për asgjësimin e plotë të misrit për bagëtitë ose në kthimin e mallit në vendet e origjinës”, tha Ramir Haderi, Drejtor AKU Shkodër.
