Shqipëria ka miratuar për herë të parë Planin Kombëtar për Eliminimin e Hepatiteve Virale, duke iu bashkuar objektivit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe angazhimit të vendeve evropiane për eliminimin e hepatiteve B dhe C si kërcënim për shëndetin publik deri në vitin 2030.
Plani synon të forcojë parandalimin, survejancën, diagnostikimin e hershëm dhe trajtimin në kohë të pacientëve, duke vendosur në fokus një qasje më moderne të sistemit shëndetësor.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, dokumenti nuk përbën vetëm një strategji, por një angazhim konkret për zgjerimin e testimit dhe diagnostikimit, përmirësimin gradual të aksesit në trajtim dhe afrimin e shërbimeve shëndetësore pranë qytetarëve.
Plani është hartuar falë bashkëpunimit mes institucioneve shqiptare, ekspertëve kombëtarë dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke u mbështetur në rekomandimet e OBSH-së dhe standardet evropiane për shërbime shëndetësore më të aksesueshme dhe më pranë qytetarit.
Hepatitet virale konsiderohen ndër shkaqet kryesore të cirrozës dhe kancerit të mëlçisë. Për këtë arsye, lufta kundër tyre është një pjesë e rëndësishme e përpjekjeve për parandalimin dhe kontrollin e kancerit, një nga prioritetet e Ministrisë së Shëndetësisë.
Objektivat kryesore të Planit janë ulja e rasteve të reja të infeksioneve, rritja e diagnostikimeve dhe trajtimeve në kohë, reduktimi i rasteve të cirrozës dhe kancerit të mëlçisë, si dhe mbrojtja e më shumë jetëve.
Me këtë nismë, Shqipëria nis një proces afatgjatë drejt eliminimit të hepatiteve virale dhe forcimit të një sistemi shëndetësor më modern, më të barabartë dhe më pranë nevojave të qytetarëve./ad
