Last Updated on 11/03/2026 by Anisa
Në një kohë të vështirë për popullin izraelit, Shqipëria ka shprehur solidaritet të plotë me Izraelin pas sulmeve të kryera nga Irani dhe Hezbollahu.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një telefonatë me homologun e tij izraelit, Gideon Sa’ar, ku riafirmoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj Izraelit dhe ndaj qytetarëve të prekur nga sulmet.
Hoxha theksoi se shënjestrimi i civilëve është i papranueshëm dhe vlerësoi kurajon dhe qëndresën e popullit izraelit. Ai gjithashtu nënvizoi nevojën për përpjekje ndërkombëtare për të parandaluar përvetësimin e armëve bërthamore dhe të çdo arme tjetër të shkatërrimit në masë nga regjimi iranian.
“Shqipëria së shpejti do të marrë një vendim zyrtar për ta shpallur IRGC një organizatë terroriste,” shkruan Hoxha.
Ministri shqiptar gjithashtu rikujtoi lidhjet e ngushta dhe historinë e gjatë të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Izraelit, të ndërtuara mbi vlera të përbashkëta. Këtë vit, shënohet 35-vjetori i marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, një moment që pasqyron forcën dhe qëndrueshmërinë e miqësisë së tyre.
Hoxha përfundon duke theksuar gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë midis dy vendeve, duke riafirmuar rëndësinë e solidaritetit në kohë sfidash.
