Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka përshëndetur paraqitjen në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të projektligjit “Preshevo Valley Discrimination Assessment Bill”, një iniciativë që kërkon nga Departamenti i Shtetit raportim të detajuar mbi trajtimin e pakicave etnike nga Serbia, me fokus të veçantë te shqiptarët në Luginën e Preshevës. Ky projektligj konsiderohet një njohje institucionale e problematikave serioze që përballen shqiptarët në këtë rajon, duke përfshirë çështjet e pasivizimit të adresave, diskriminimit në arsimin dhe punësimin, si dhe kufizimeve në pjesëmarrjen qytetare.
Sipas Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, akti përfaqëson një hap domethënës në trajtimin serioz dhe transparent të të drejtave të pakicave shqiptare në nivel ndërkombëtar, duke dërguar një sinjal të fortë se Shtetet e Bashkuara vlerësojnë rëndësinë e respektimit të të drejtave të komunitetit shqiptar dhe mbështesin përpjekjet për paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor.
“Ky projektligj tregon se sfidat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës nuk janë të padukshme dhe se komuniteti ndërkombëtar ndjek me vëmendje situatën në këtë rajon”, deklaron Ministria, duke nënvizuar se iniciativa e Kongresit mund të shërbejë si nxitje për dialog konstruktiv me autoritetet serbe dhe për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në çdo aspekt të jetës së përditshme.

Ministria u shpreh se mbështetja e SHBA-së dhe kontributi i Kongresit Amerikan përmes këtij projektligji nuk është vetëm një akt simbolik, por një instrument konkret për forcimin e paqes dhe stabilitetit rajonal, duke siguruar se zëri i shqiptarëve të Luginës së Preshevës dëgjohet dhe do marrë vëmendjen që meriton në arenën ndërkombëtare./kb
