Last Updated on 15/11/2025 by EL
Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch ka bërë një deklaratë të fortë teksa ka folur për klimën politike në vend. Ai ka thënë se njerëzit atje (politikanët) kanë nisur ta urrejnë njëri-tjetrin dhe nuk punojnë bashkë për të mirën e vendit.
Robert Bosch ka punuar më herët si ambasador në Tiranë dhe është shprehur se dikur Kosova merrej shembull nga Shqipëria, kurse tani është bërë si Shqipëria, pasi njerëzit kanë filluar të sillen keq.
“Nuk e di çfarë të them për marrëdhëniet e Kurtit me komunitetin ndërkombëtar. Në Kosovë shoh që ka shumë njerëz që nuk po punojnë bashkë dhe kjo është sigurisht shumë e keqe. Siç e dini, unë kam qenë më herët në Shqipëri dhe atje ishte ai nivel ekstrem: njerëzit që e urrenin njëri-tjetrin, që akuzonin njëri-tjetrin për gjërat më të këqija të mundshme.
Gjithmonë Kosova merrej si shembull, sepse njerëzit ishin më të sjellshëm. Por duket se edhe kjo ka ndryshuar pak; edhe këtu njerëzit kanë filluar të sillen keq, jo aq sa në Shqipëri, por prapë. Nuk duhet të shkoni në atë drejtim, ku çdo gjë që bën opozita quhet krim”, është shprehur ambasadori për Ekonomia Online.
Diplomati holandez ka komentuar dhe bllokimin e institucioneve dhe projekteve jetike për Kosovën, si pasojë e krizës politike që është reflektuar edhe në pasoja shtetërore. Sipas Robert Bosch, edhe në vendin e tij, në Holandë, ka raste kur Parlamenti nuk pajtohet me vendime të caktuara, por vendi nuk paralizohet.
“Kjo situatë është e dëmshme për vendin, sepse shumë procese nuk mund të nënshkruhen. Kam dëgjuar edhe biznesmenë këtu që thonë se janë në pritje të kontratave, por askush nuk është i autorizuar t’i nënshkruajë, pasi qeveria është vetëm kujdestare dhe nuk ka kompetencë për vendime të tilla.
Kjo dallon nga Holanda, për shembull, ku edhe qeveritë kujdestare mund të nënshkruajnë shumë vendime; Parlamenti mund të mos pajtohet, por të paktën vendi nuk paralizohet. Këtu, për arsye që nuk i kuptoj, proceset janë bllokuar plotësisht”, ka përmbyllur diplomati Robert Bosch./E.T
