Last Updated on 31/07/2025 by adminfjala
Shqipëria nuk po rregullon dot imazhin e saj në sytë e investitorëve të huaj, duke mbetur gjithsesi në “vijën e kuqe” të vlerësimeve në drejtim të klimës së të bërit biznes. Në Indeksin e Besimit të Bizneseve mbi ecurinë e vitit të shkuar dhe pritshmëritë për në vijim të realizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, vendi u vlerësua me 46.47 nga 100 pikë të mundshme. Në krahasim me një vit më parë treguesi është përkeqësuar me 1.1 pikë.
Për të katërtin vit me radhë, gjetja e fuqisë punëtore të kualifikuar është kthyer në shqetësimin kryesor të Dhomës Amerikane të tregtisë. Ky tregues mori ndër vlerësimit më të ulëta në Indeksin e Besimit të Bizneseve, vetëm 27.23 pikë, nga 100 të mundshme.
Ndër problematikat që bizneset hasin në Shqipëri sipas AMCHAM janë edhe monopolet në tregje që sjellin konkurrencë të pandershme, informalitetit, burokracitë dhe sistemi fiskal që ndryshohet shpesh.
Në përkeqësimin e përgjithshme të klimës së të bërit biznes në Shqipëri, kontributin këtë vit rezulton ta ketë dhënë ecuria jo fort e ekonomike e vendit. Bizneset amerikane dhe ato vendase besojnë se perspektiva ekonomike e Shqipërisë nuk është e kënaqshme duke ndikuar kështu negativisht në aktivitetin e tyre. m.p.
