Tre parti politike shqiptare në Malin e Zi janë bashkuar zyrtarisht këtë të shtunë në një subjekt të vetëm të quajtur Forumi Shqiptar. Gjatë prezantimit në sallën e Këshillit Komunal të Tuzit, zëvendëskryeministri Nik Gjeloshaj dhe krerët e tjerë politikë e vlerësuan këtë si një hap historik për të ardhmen e komunitetit.
Sipas liderëve, pas funksionimit të shkëlqyer si koalicion që solli përfaqësim më të fortë të shqiptarëve në qeveri dhe në postet vendimmarrëse ky bashkim ishte një borxh i shlyer ndaj brezave të rinj dhe nisja e një kapitulli të ri politik.
“Për të gjithë qytetarët shqiptarë në Mal të Zi, ky bashkim ka një domethënie të veçantë. Ne kemi funksionuar deri më tani si koalicione të ndryshme dhe me shumë sukses. Pikërisht përmes këtij bashkëpunimi kemi arritur disa nga rezultatet më historike që kanë pasur shqiptarët në Mal të Zi. Megjithatë, kemi parë nevojën që të shkojmë një hap më tej dhe të ndërtojmë një subjekt të vetëm politik, jo vetëm për sot, por edhe për gjeneratat e ardhshme, si një garanci për unitetin shqiptar. Ky është subjekti i vetëm politik shqiptar në Mal të Zi që përfaqëson shqiptarët në të gjitha zonat ku ata jetojnë, pasi ne jemi të pranishëm në disa komuna dhe jemi adresa e parë politike e shqiptarëve. Përgjegjësia jonë politike dhe vullneti i drejtuesve ishte që të krijonim një subjekt të fortë politik shqiptar për të ardhmen, në mënyrë që shqiptarët në Mal të Zi të përfaqësohen edhe më mirë.
Ne si shqiptarë, kudo që jemi, shpesh na vjen ndër mend ajo fjala se nuk jemi unikë dhe nuk jemi të bashkuar. Madje, për fat të keq, kjo është përsëritur shpesh ndër vite. Por ne kemi vendosur të dëshmojmë të kundërtën. Kemi nisur në Tuz dhe po përcjellim një mesazh për të gjithë shqiptarët: asnjë proces nuk mund të bëhet vetëm. Pa unitet, pa unifikim dhe pa strategji të përbashkët, është shumë më e vështirë të realizohen objektivat. Kjo vlen edhe për Shqipërinë, sidomos sot në procesin e integrimit europian. Sa më unikë të jemi, aq më i fortë bëhet përfaqësimi ynë dhe aq më të shpejta bëhen proceset që lidhen me të ardhmen europiane të shqiptarëve kudo që jetojnë.”, u shpreh Gjeloshaj./mxh
