Jeta e kantautorit legjendar italian Lucio Dalla do të shndërrohet në një film artistik, 14 vite pas ndarjes së tij nga jeta më 1 mars 2012. Projekti i shumëpritur synon të sjellë në ekran historinë e një prej figurave më të rëndësishme të muzikës italiane, i cili ka lënë një trashëgimi të pavdekshme në art dhe kulturë.
Sipas “Il Resto del Carlino”, projekti me titull “Lucio” është përzgjedhur mes 11 projekteve të financuara në thirrjen rajonale për kinemanë dhe audiovizualin 2026 nga Rajoni Emilia-Romagna, ku do të ndahen rreth 1 milion euro për filma, seriale dhe dokumentarë.
Filmi do të drejtohet nga regjisori Ambrogio Lo Giudice dhe pritet të nisë xhirimet më 12 shtator. Sipas tij, historia do të fokusohet nga fëmijëria e Dalla-s deri te periudha e këngës ikonike “Caruso”, duke sjellë edhe momente më pak të njohura të jetës së artistit.
Regjisori ka treguar se filmi do të eksplorojë periudha të ndryshme të karrierës së tij, përfshirë sukseset, por edhe fazat më të vështira artistike pas triologjisë së famshme të albumeve, duke e paraqitur Dalla-n në një këndvështrim më intim dhe njerëzor.
Xhirimet do të zhvillohen në disa lokacione, përfshirë Sorrenton dhe Bolonjën qyteti që ka qenë thelbësor në jetën dhe karrierën e tij. Në film do të rikrijohen edhe vende ikonike si shtëpia e tij e fëmijërisë në Piazza Cavour, kolegji ku studioi dhe studiot legjendare Fonoprint.
Një nga pyetjet më të mëdha mbetet ende pa përgjigje: kush do ta interpretojë Lucio Dalla-n në ekran? Sipas regjisorit, procesi i kastiit është ende në zhvillim, pasi është e vështirë të gjendet një aktor që mund të këndojë, të aktrojë dhe të ngjajë me artistin e madh italian.
Filmi “Lucio” pritet të sjellë në jetë historinë e një prej figurave më të dashura të muzikës italiane, duke rikthyer në vëmendje trashëgiminë e tij artistike dhe emocionale./mxh
