Vetëm 8.6% e individëve në Shqipëri kanë blerë online bileta për koncerte, festivale apo evente të tjera gjatë tre muajve para vrojtimit të vitit 2025, sipas të dhënave të Eurostat.
Kjo shifër është ndjeshëm më e ulët krahasuar me mesataren e Bashkimit Europian, ku 26.8% e qytetarëve kanë përdorur internetin për blerjen e biletave. Në vendet e BE-së, më shumë se një në katër persona përdor platformat online për të siguruar hyrjen në evente.
Sipas Eurostat, përdorimi i blerjeve online për bileta në BE është rritur me 3.8 pikë përqindje krahasuar me vitin 2024, i ndikuar nga zgjerimi i platformave digjitale dhe rikthimi i aktiviteteve kulturore.
Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përdorimi i internetit për blerjen e biletave mbetet i ulët. Shqipëria renditet pas Serbisë, me 11.4%, dhe Maqedonisë së Veriut, me 10.8%, ndërsa para Bosnjë-Hercegovinës me 7.4%, Kosovës me 7.35% dhe Malit të Zi me 6%.
Edhe vendet fqinje të Bashkimit Europian kanë nivele më të larta. Në Greqi, 38.9% e qytetarëve kanë blerë bileta online, ndërsa në Kroaci kjo shifër është 28.3% dhe në Slloveni 20.9%.
Në Europë, përdorimi më i lartë i blerjes së biletave online është regjistruar në Irlandë, me 51.5%, e ndjekur nga Norvegjia me 50.3%, Holanda me 48.1% dhe Danimarka me 47.9%.
Të dhënat lidhen edhe me vështirësitë që has tregu shqiptar në organizimin e eventeve të mëdha. Një shembull ishte koncerti i Kanye West në Tiranë, i cili synonte një audiencë prej rreth 60 mijë personash, por shitja e biletave nuk arriti ritmin e pritshëm.
Çmimet e biletave, që varionin nga 120 deri në 330 euro, u konsideruan një nga faktorët që ndikuan në interesin e publikut vendas. Organizatorët kishin deklaruar se nevojiteshin të paktën 40 mijë bileta të shitura për ta bërë aktivitetin ekonomikisht të leverdishëm.
Rasti i këtij koncerti tregoi vështirësitë e organizimit të eventeve të mëdha në një treg ku fuqia blerëse është më e ulët dhe përdorimi i platformave online për blerjen e biletave mbetet ende i kufizuar./monitor/ kb
