Një studim i fundit mbi ADN-në e popullsive të Ballkanit ka rikthyer në vëmendje debatet mbi origjinën e shqiptarëve, me studiuesin Ardian Muhaj që thekson se gjetjet e reja i vendosin shqiptarët ndër popujt më të vjetër në rajon.
I ftuar në një emision televiziv, Muhaj foli për një proces kërkimor shumëvjeçar që, sipas tij, ka kaluar në disa faza dhe versione përpara botimit përfundimtar, duke zgjatur rreth pesë deri në gjashtë vite si projekt shkencor.
Ai shpjegoi se studimi është zhvilluar në disa versione dhe ka kaluar përmes rishikimeve të shumta, përfshirë edhe një fazë “pre-print”, ku materiali është vënë në dispozicion për kritika nga komuniteti shkencor më i gjerë, përpara publikimit final.
Sipas Muhajt, analiza gjenetike nuk tregon ruajtje të drejtpërdrejtë të gjurmëve të popullsive të lashta si trakët apo dakët, duke theksuar se ky fenomen nuk lidhet vetëm me ilirët, por me shumicën e popullsive të vjetra ballkanike.
“ADN-ja jonë tregon atë që është menduar… fakti që nuk kemi shumë elementë të ruajtur nuk i ka prekur vetëm ilirët,” u shpreh ai, duke shtuar se mungesa e të dhënave të plota historike dhe gjuhësore është një problem i përbashkët për gjithë rajonin.
Sipas tij, ky boshllëk hap një “dritare të re” për interpretim dhe përfshirje të të dhënave të reja shkencore në kuptimin e historisë së popullsive të Ballkanit.
Debati mbi origjinën e shqiptarëve dhe lidhjet e tyre me popullsitë e lashta të rajonit mbetet ndër temat më të diskutuara në studimet historike dhe gjenetike, ku çdo gjetje e re shpesh sjell edhe interpretime të ndryshme akademike dhe publike./A.D
