Nga porositja e një kapuçinoje pas mëngjesit deri te hedhja e djathit mbi pjatat me peshk, shmangni këto gabime të zakonshme në udhëtimin tuaj të ardhshëm në Itali.
Është një mbrëmje e ngrohtë në Romë. Jam duke shijuar një pjatë pasta alla carbonara, ndërsa miqtë e mi po zgjedhin verën e radhës. Papritur, një frazë në anglisht përshkon restorantin: “Një kapuçino, ju lutem”. Pirunët ndalen në mes të ajrit dhe të gjithë kthejnë kokën. Është ora 22:30. A e kanë seriozisht?
Çdo vit, miliona turistë vizitojnë Italinë, të tërhequr kryesisht nga fama e kuzhinës së saj. Megjithatë, ndonëse gatimet italiane janë të përhapura në mbarë botën, pak vizitorë i njohin rregullat dhe traditat që udhëheqin kulturën e të ngrënit në Itali. Pikërisht mosnjohja e këtyre zakoneve i shtyn shumë udhëtarë të bëjnë gabime që vendasit i vënë re menjëherë.
Kuzhina italiane është, në thelb, mjaft e thjeshtë. Ajo nuk mbështetet te përdorimi i shumtë i erëzave, ndërsa shija e pjatave vjen kryesisht nga përbërësit sezonalë dhe vendas.
Vaktet nuk konsumohen kurrë me nxitim. Ato konsiderohen një nga kënaqësitë më të mëdha të jetës. Për këtë arsye, italianët ndjekin një sërë rregullash të pashkruara, të cilat synojnë të nxjerrin më mirë në pah shijet dhe të sigurojnë që çdo vakt të shijohet siç duhet.
A po tregohemi disi dramatikë për këto rregulla? Ndoshta. Megjithatë, udhëtarët që i shkelin pa dashje ka të ngjarë të përballen me vështrime të habitura, madje edhe të tmerruara. Ndërsa ata që arrijnë t’i kuptojnë, fitojnë një mundësi për të njohur më nga afër kulturën gastronomike italiane dhe, ndoshta, edhe një shenjë miratimi nga vendasit.
Për të ngrënë si një italian në vizitën tuaj të ardhshme, këto janë shtatë gjërat që nuk duhet t’i bëni kurrë në restorantet italiane.
- Mos porositni kapuçino pas mëngjesit
Mund të keni dëgjuar se italianët nuk pinë kapuçino pas një ore të caktuar të ditës, por duket se ka ende paqartësi për kufirin e saktë. A është ora 10:00? Mesdita?
Ja rregulli më i thjeshtë: mos porositni kapuçino në restorant.
Kapuçinoja pihet zakonisht në bar, gjatë mëngjesit. Mëngjesi italian është i lehtë dhe përbëhet kryesisht nga një briosh ose një ëmbëlsirë e vogël, të cilat shoqërohen shumë mirë me një kapuçino kremoze.
Por e njëjta pije me shkumë konsiderohet tepër e rëndë për t’u konsumuar me vakte më të bollshme dhe të kripura. Pikërisht për këtë arsye italianët ngrenë vetullat kur dikush porosit kapuçino në drekë ose në darkë. Pas vaktit të parë të ditës, ata zakonisht zgjedhin një ekspres ose një makiato.
- Mos e prishni rendin e vakteve
Ashtu si një simfoni, një vakt në një restorant italian zhvillohet në disa etapa që ndjekin një rend të caktuar: antipasto ose pjata e parë, primo ose pjata me makarona, secondo e contorni ose pjata me mish apo prodhime deti e shoqëruar me perime të stinës, më pas dolce, kafeja dhe në fund një pije tretëse.
Ky rend bën që shijet të kalojnë gradualisht nga më të lehtat te më të pasurat, duke përfunduar me kafeinë ose alkool, që tradicionalisht konsiderohen ndihmë për tretjen.
Nuk është e nevojshme të porosisni të gjitha pjatat e menusë tradicionale, por nuk duhet ta ndryshoni rendin. Garniturat shërbehen në pjata të veçanta, ndaj kërkesa “sillini të gjitha njëherësh” konsiderohet shumë e pazakontë.
Në Itali, sallata e përzier nuk shërbehet në fillim të vaktit. Ajo konsiderohet garniturë dhe hahet së bashku me pjatën kryesore me mish. Zakonisht përbëhet nga gjethe jeshile të përziera, të marinuara me vaj, kripë dhe lëng limoni.
Në restorantet më të thjeshta, disa gatime si ribollita, një supë toskane me bukë dhe perime, ose pasta e fagioli, makarona me fasule, mund të klasifikohen si pjata të para. Ndërsa makaronat, në kuzhinën italiane, nuk konsiderohen kurrë garniturë.
- Mos i përzieni shijet e detit me ato të malit
“Por pse të mos hedh parmixhano mbi pjatën me prodhime deti, nëse kështu më pëlqen?”
Në Itali, kuzhina e detit dhe ajo e malit konsiderohen dy tradita të veçanta. E para lidhet me peshkun dhe prodhimet e detit, ndërsa e dyta me mishin dhe djathërat. Ato janë zhvilluar veçmas dhe zakoni për të mos i përzier ka mbetur i fortë edhe sot.
Mendohet se shijet e tyre të dallueshme konkurrojnë me njëra-tjetrën. Për këtë arsye, prodhimet e detit shoqërohen rrallë me djathëra të stazhionuar dhe me shije të fortë.
I njëjti parim zbatohet edhe në rendin e pjatave. Pas një insalata di mare, pra sallate me prodhime deti, mund të zgjidhni spaghetti alle vongole dhe më pas kallamarë të skuqur, por jo makarona me salcë bolonjeze dhe mish derri të pjekur.
Në menu mund të gjeni edhe pjata që ndërthurin qëllimisht prodhimet e detit me djathin, si makarona me midhje dhe djathë pekorino. Megjithatë, këto janë receta të pranuara nga tradita.
Rregulli i përgjithshëm mbetet ndarja e dy botëve kulinare. Kjo është arsyeja pse kërkesa për parmixhano mbi spaghetti alle vongole mund t’i bëjë italianët përreth jush të rrudhin fytyrën.
- Mos kërkoni zëvendësimin e përbërësve
Në Itali, pjatat e restoranteve zakonisht nuk konsiderohen të personalizueshme. Përbërës të caktuar janë menduar të shkojnë së bashku, ndërsa të tjerë jo.
Edhe format e makaronave zgjidhen sipas llojit të salcës. Makaronat e shkurtra shoqërohen zakonisht me salca më të trasha dhe me copa, të cilat kapen më mirë pas vijave të tyre. Makaronat e gjata ose të mbushura kombinohen kryesisht me salca më të buta dhe kremoze.
Të kërkosh që një pjatë të përgatitet me një përbërës tjetër shihet si cenim i ekuilibrit të saj dhe, në njëfarë mënyre, edhe si vënie në dyshim e gjykimit të shefit të kuzhinës.
Sigurisht, është krejtësisht e pranueshme të përmendni alergjitë ose kërkesat e veçanta ushqimore. Mund të pyesni gjithashtu nëse një përbërës që ju shkakton shqetësime gastrointestinale, si qepa, specat, domatet apo hudhra, mund të hiqet nga pjata.
Shumë shefa kuzhine do të jenë të gatshëm t’ju përgatisin diçka të posaçme. Ajo që nuk pritet mirë është përpjekja për ta ridizenjuar plotësisht një pjatë sipas preferencave personale.
- Mos u kufizoni te “kuzhina italiane” – zbuloni specialitetet e çdo rajoni
Jashtë Italisë, restorantet zakonisht ofrojnë “kuzhinë italiane”. Por vetë koncepti i Italisë si një shtet i bashkuar është relativisht i ri. Deri në fund të shekullit XIX, territori përbëhej nga mbretëri dhe shtete të pavarura, të cilat u bashkuan vetëm në vitet 1800. Edhe sot, shumë italianë identifikohen fillimisht me rajonin e tyre dhe më pas me kombin.
E njëjta gjë vlen edhe për gastronominë. Kuzhina italiane është thellësisht rajonale dhe çdo zonë ruan me krenari recetat dhe produktet e saj tradicionale. Për italianët, të vizitosh një qytet pa provuar gatimet karakteristike të tij do të thotë të humbasësh një pjesë thelbësore të përvojës.
Larmia e kuzhinës rajonale është mbresëlënëse dhe pikërisht zbulimi i saj e bën udhëtimin më interesant.
Një udhërrëfyes i shkurtër: në Napoli duhet provuar pica në vendlindjen e saj, ndërsa më në jug, në Bregun e Amalfit, nuk duhet humbur limonçeloja e përgatitur nga limonët vendas. Pesto e ka origjinën në Gjenova, ndërsa për cacio e pepe dhe carbonara destinacioni është Roma. Firence njihet për biftekun e famshëm fiorentin, ndërsa Venecia konsiderohet kryeqyteti i kulturës së aperitivo-s, ku në bacari (bare tradicionale) shërbehen cicchetti, kafshata të vogla, të shoqëruara zakonisht me një gotë Aperol Spritz.
Por kjo është vetëm maja e ajsbergut gastronomik. Pothuajse çdo fshat dhe qytet ka një pjatë të njohur, një lloj buke tradicionale ose një frut karakteristik, që vendasit e ruajnë me krenari.
Përpara se të porositni, pyesni se për çfarë specialiteti njihet zona. Shpesh, pikërisht aty fshihet përvoja më autentike e udhëtimit.
- Mos u nxitoni
Në Itali, një vakt në restorant është një ritual shoqëror, jo thjesht një mënyrë për të shuar urinë.
Falë strukturës tradicionale me disa pjata, dreka ose darka mund të zgjasë për orë të tëra. Mes pjatave ka gjithmonë kohë për të biseduar, për të pushuar ose edhe për të shijuar një sorbetto al limone (sorbe me limon), që shërben për të freskuar shijen përpara vazhdimit të vaktit.
Pikërisht në këto pauza zhvillohet pjesa më e rëndësishme e darkës: bisedat e gjata, të qeshurat, debatet dhe, shpesh, porositja e një shisheje tjetër vere.
Nëse shkoni për darkë në orarin kur hanë zakonisht italianët, pra pas orës 21:00, mos prisni të ngriheni nga tavolina përpara mesnatës.
- Mos e anashkaloni amaro-n
Një vakt tradicional italian zakonisht mbyllet me një ëmbëlsirë, një kafe – zakonisht ekspres ose makiato – dhe një gotë amaro.
Fjala amaro do të thotë “i hidhur”. Kjo pije përgatitet zakonisht me lëkura agrumesh, lëvore arrash ose bimë aromatike e mjekësore. Shija e saj nuk është për të gjithë që në provën e parë, por italianët besojnë se nuk ka mënyrë më të mirë për të ndihmuar tretjen pas një vakti të bollshëm.
Ashtu si shumë elementë të tjerë të kuzhinës italiane, edhe amaro ndryshon nga një rajon në tjetrin. Prandaj, ia vlen të pyesni se cila është specialiteti vendas ose, edhe më mirë, nëse restoranti ofron një version të përgatitur në mënyrë artizanale.
Shijojeni ngadalë, relaksohuni dhe lëreni ditën e nesërme për aventurën e radhës gastronomike./ BBC-ad
