Përveç shtatë mrekullive të botës moderne, ekzistojnë edhe shtatë mrekulli natyrore, të përzgjedhura përmes një votimi global të organizuar në vitin 2011, ku morën pjesë miliona njerëz.
Lista përfshin disa prej peizazheve më mbresëlënëse të planetit: Amazonën në Amerikën e Jugut, Gjirin e Ha Longut në Vietnam, Ujëvarat e Iguazut mes Argjentinës, Brazilit dhe Paraguait, ishullin Jeju në Korenë e Jugut, Parkun Kombëtar të Komodos në Indonezi, lumin nëntokësor të Puerto Princesa-s në Filipine dhe Malin Table në Afrikën e Jugut.

Këto destinacione dallohen jo vetëm për bukurinë e tyre natyrore, por edhe për biodiversitetin e jashtëzakonshëm. Nga pyjet tropikale të Amazonës, te ujëvarat gjigante të Iguazut dhe peizazhet vullkanike të Jeju-së, secili prej tyre përfaqëson një pasuri të veçantë natyrore.

Përzgjedhja nisi me 454 kandidatë, të cilët kaluan disa faza votimi deri në përcaktimin e shtatë fituesve. Organizatorët nuk vendosën një renditje sipas rëndësisë, por i prezantuan sipas rendit alfabetik.

Megjithatë, këto mrekulli përballen edhe me sfida të shumta, përfshirë shpyllëzimin, ndryshimet klimatike dhe ndikimin e turizmit, duke e bërë mbrojtjen e tyre një domosdoshmëri./k.m




