Në një fshat të vogël në lindje të Çekisë, një shtëpi e lyer me ngjyrat bardhekaltër të Argjentinës ka tërhequr vëmendjen e banorëve dhe vizitorëve. Pronari i saj, Miloslav “Curby” Urbanec, është një tifoz i përkushtuar i kombëtares argjentinase dhe e ka shndërruar banesën në një muze të vogël kushtuar futbollit argjentinas.
Shtëpia trekatëshe në Bukovka, rreth 90 kilometra nga Praga, është zbukuruar me diellin karakteristik të flamurit argjentinas, një mural gjigant të Lionel Messit dhe një statujë në përmasa reale të Diego Armando Maradonës, e cila qëndron në hyrje të oborrit.
Pas shtëpisë ndodhet edhe një fushë futbolli, e rrethuar me fotografi të legjendave të klubit Boca Juniors, skuadra ku shkëlqeu edhe Maradona.
Urbanec tregon se pasioni i tij për Argjentinën lindi që në moshën katërvjeçare, kur ndoqi me të atin Kupën e Botës të vitit 1978.
“Kur isha katër vjeç, pashë Botërorin e vitit 1978 në Argjentinë me babanë tim dhe u mahnita nga flokët e gjatë të lojtarëve argjentinas, si Mario Kempes. Ata fituan Kupën e Botës dhe aty nisi dashuria ime për Argjentinën, Boca Juniors dhe futbollin,” thotë ai.
Edhe automjeti i tij është i dekoruar me ngjyrat e Argjentinës, me imazhe të Maradonës duke ngritur Kupën e Botës dhe të Lionel Messit, si dhe me mbishkrimin “In Messi We Trust”. Madje, targa e personalizuar mban emrin “MARADONA”.
Dashuria për futbollin argjentinas është bërë pjesë edhe e familjes së tij. Djali i tij i dytë, tashmë shtatë vjeç, mban emrin Lionel, në nder të kapitenit të Argjentinës.
Urbanec beson se kombëtarja argjentinase do të vazhdojë rrugën drejt suksesit edhe në turneun aktual.
“Kombëtarja këtë herë është e jashtëzakonshme. Besoj 100 për qind se do të fitojmë sërish dhe do të jetë një festë e bukur, jo vetëm në Bukovka, por në të gjithë botën, sepse Argjentina luan futbollin më të bukur,” shprehet ai.
Argjentina do të përballet me Kepin e Gjelbër në fazën e 1/32-ave të premten, më 3 korrik./mxh
