Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt ka dalë sot në një deklaratë për mediat ku ka folur lidhur me ofensivën ushtarake amerikane në Iran. Leavitt u shpreh se SHBA-të po bëjnë hapa të jashtëzakonshëm drejt arritjes së objektivave ushtarake amerikane.
“Deri më tani janë goditur më shumë se 5,000 objektiva armike. Sulmet me raketa balistike të Iranit kanë rënë me më shumë se 90%, dhe sulmet e tyre me dronë kanë rënë me afërsisht 85%”, tha ajo.
Leavitt u shpreh gjithashtu se ushtria amerikane tani po punon për çmontimin e infrastrukturës së prodhimit të raketave të Iranit.
“Bombarduesit tanë të pabesueshëm B-2 hodhën dhjetëra bomba depërtuese prej 2,000 paundësh në vendet e raketave të varrosura thellë”, shton ajo.
Ndër çështjet për të cilat Sekretarja e Shtëpisë së Bardhë foli ishte furnizimi me naftë nga rajoni i Gjirit Persik.
Ajo tha se rritja e fundit e çmimeve të naftës dhe gazit është e përkohshme dhe se ky operacion do të rezultojë në çmime më të ulëta të gazit në planin afatgjatë.
Ndër të tjera Leavitt tha se ushtria amerikane po harton opsione shtesë pas direktivës së Trump për të mbajtur të hapur Ngushticën e Hormuzit. Ajo nuk ndau detaje se cilat janë këto opsione shtesë, por tha se “thjesht duhet ta dini se presidenti nuk ka frikë t’i përdorë ato.”/mxh
