Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se presidenti amerikan, Donald Trump, do të ndjekë vetëm një marrëveshje bërthamore me Iranin që është në përputhje me interesat e SHBA-së, pas një takimi të gjatë në “Dhomën e Situatave”.
“Presidenti Trump do të bëjë vetëm një marrëveshje që është e mirë për Amerikën dhe që plotëson vijat e tij të kuqe”, tha zyrtari.
Zyrtari tha se takimi i nivelit të lartë zgjati rreth dy orë dhe riafirmoi qëndrimin e fortë të administratës ndaj ambicieve bërthamore të Teheranit.
“Irani nuk mund të ketë kurrë armë bërthamore”, shtoi ai.
Kjo deklaratë vjen në kohën e negociatave SHBA-Iran për programin bërthamor, ndërsa Washingtoni thekson se çdo marrëveshje duhet të përmbushë kushte të rrepta të vendosura nga presidenti Trump.
Më herët, Trump në platformën e tij Truth Social shkroi se do të takohet me zyrtarë në Shtëpinë e Bardhë për të marrë një “vendim përfundimtar” mbi një propozim marrëveshjeje për t’i dhënë fund konfliktit me Iranin.
Ai përmendi disa elemente të propozimit, përfshirë angazhimin e Iranit për të mos zhvilluar kurrë armë bërthamore dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit për transport tregtar të lirë./mxh
