Last Updated on 28/10/2026 by Monika
Këshilli i Ministrave ka përcaktuar procedurat, kriteret dhe kontrollet për fitimin e shtetësisë shqiptare me natyralizim për interes të posaçëm shtetëror. Vendimi parashikon gjithashtu organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Shtetërore të Posaçme të Shtetësisë.
Sipas vendimit, shtetasit e huaj mund të aplikojnë për marrjen e shtetësisë shqiptare në rastet kur cilësitë, aftësitë apo veprimtaria e tyre private ose publike i përgjigjen një nevoje konkrete, sjellin dobi, risi apo krijojnë përparësi për shtetin shqiptar.
Vendimi përcakton se interesi shtetëror duhet të jetë konkret, i përcaktueshëm qartë, i verifikueshëm dhe i lidhur me politika specifike, të dokumentuara dhe të miratuara. Vlerësimi i këtij interesi kryhet nga ministria që mbulon fushën përkatëse.
Kërkesa për njohjen e interesit shtetëror paraqitet pranë ministrisë përgjegjëse nga vetë aplikuesi ose nga institucione dhe organizata kulturore, arsimore, sportive, shkencore apo ekonomike që bashkëpunojnë me të. Në këtë rast, paraqitja e kërkesës bëhet pasi të jetë siguruar pëlqimi me shkrim i personit përkatës.
Pas lëshimit të deklaratës së ministrit për njohjen e interesit shtetëror, kërkesa për fitimin e shtetësisë duhet të paraqitet pranë Agjencisë Shtetërore të Posaçme të Shtetësisë brenda pesë ditëve kalendarike.
Agjencia është përgjegjëse për verifikimin e dokumentacionit, të dhënave penale dhe faktit nëse aplikuesi është subjekt i masave shtrënguese ndërkombëtare të pranuara nga Shqipëria.
Për kontrollin e sigurisë kombëtare, rendit publik dhe pastërtisë së figurës, në procedurë angazhohen Shërbimi Informativ i Shtetit dhe Policia e Shtetit. Të dy institucionet duhet të japin përgjigjen e tyre brenda 20 ditëve kalendarike.
Gjithashtu, brenda 30 ditëve kalendarike nga marrja e kërkesës, Agjencia i paraqet ministrit përgjegjës për punët e brendshme një relacion që përmban rekomandimin për propozimin e dhënies së shtetësisë ose për mbylljen e praktikës.
Propozimi i përcillet Presidentit të Republikës, i cili dekreton dhënien e shtetësisë ose e kthen dosjen pa veprim, për mbylljen dhe arkivimin e saj.
Vendimi sqaron se paraqitja e aplikimit nuk krijon një të drejtë individuale për marrjen e shtetësisë shqiptare. Ndërkohë, deklarimi i të dhënave të rreme sjell përgjegjësi penale dhe përbën shkak për ndërprerjen e procedurës ose heqjen e shtetësisë së dhënë.
Sa i përket organizimit institucional, Agjencia Shtetërore e Posaçme e Shtetësisë do të funksionojë si person juridik publik buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për Punët e Brendshme, me seli në Tiranë.
Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë emërohet, lirohet ose shkarkohet me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit përgjegjës./mxh
