Aktorja, artistja e dublimit dhe akademikja e njohur turke Gülsen Tuncer, e cila u bë mjaft e dashur për publikun shqiptar me rolin e “Tante Arsen” në serialin e famshëm Aşk-ı Memnu (Dashuri e Ndaluar), është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare pas një beteje me një tumor në truri.
Lajmin e hidhur e bëri të ditur fondacioni “Film-San Vakfı”, ku aktorja shërbeu si Zv. Presidente në vitet 2009-2011. Në deklaratën e tyre zyrtare, fondacioni shprehu ngushëllimet për familjen, kolegët dhe adhuruesit e artistes.
Lamtumira e fundit për aktoren do të jepet ditën e diel, më 20 shtator 2026.
Ndarja e saj nga jeta ka prekur thellësisht komunitetin artistik në Turqi, me shumë kolegë që kanë ndarë mesazhe prekëse.
“Jam shumë e pikëlluar… Me kalimin e viteve bëhet gjithnjë e më e vështirë t’u thuash lamtumirë njerëzve me të cilët ke ndarë të njëjtën rrugë. E dashur Gülsen, do t’i kujtoj gjithmonë me dashuri ditët e bukura që kaluam së bashku.”, u shpreh Nebahat Çehre.
“Gülsen Tuncer do të kujtohet gjithmonë me dashuri për kujtimet e bukura që la pas. I uroj durim familjes dhe të afërmve të saj”, u shpreh Selçuk Yöntem .
“Vrapove pa u ndalur në të gjitha rrugët e artit… e heshtur, e përkushtuar dhe e suksesshme. Me zemrën tënde të ngrohtë u përpoqe t’i gjendeshe pranë çdo nevoje. Tani u ngjite në qiell pranë miqve të tu të dashur”, u shpreh Kerem Alışık.
“Lajm i hidhur… Kemi ndarë skenën për vite me radhë. Ishe një aktore me nivel të lartë dhe një aktiviste e vërtetë”, u shpreh Nilgün Belgün.
Kush ishte Gülsen Tuncer?
E lindur në Adana në vitin 1945, Gülsen Tuncer u diplomua në degën e Teatrit në Konservatorin e Bashkisë së Stambollit, ku mori leksione nga emra ikonikë si Yıldız Kenter dhe Ayla Algan.
Karrierën profesionale e nisi në vitin 1968 dhe përveç teatrit, u dallua në kinematografi, televizion dhe në artin e dublimit.
Përveç rolit të saj historik si Arsen Hanım në Aşk-ı Memnu, ajo ka luajtur edhe në produksione të njohura si Üç İstanbul, Bugünün Saraylısı, Çalıkuşu dhe Fazilet Hanım ve Kızları, duke fituar çmime të shumta përgjatë karrierës së saj të gjatë artistike./mxh
