Last Updated on 19/04/2026 by Monika
Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi ka folur ditën e sotme lidhur me protestat e opozitës dhe mënyrën e zhvillimit të tyre.
Në një intervistë për Euronews Albania, Korreshi u shpreh se PD është e dyzuar për mënyrën se si do të procedohet në protestat e ardhshme, për shkak se sipas tij ka qytetarë që duan aksionin dhe ka të tjerë që duan ngujimin apo grevën e urisë.
Deputeti u shpreh se ai vetë mendon se greva e urisë dhe ngujimi duhet të ishte një përgjigje për ato që sipas tij po bën qeveria.
“Jemi në një situatë ku pretendojmë të hyjmë në Europë me mbylljen e kapitujve por nuk kemi mbyllur kapitujt e frikës. Po të kalojmë te bujqësia, 90% e tokava ka rënë rendimenti i mbjelljes me grurë, për shkak se fermeri nuk merr asnjë lloj ndihme. Së fundmi ju hoqën edhe naftën, që nuk e ka bërë asnjë vend në botë. Tregu shqiptar shet 400 lekë domatet vetëm se shteti nuk i kontrollon këta që i shesin kështu. Protesta është e ndarë në disa fusha. Ne kemi njerëz që janë të përfshirë në PD dhe kërkojnë një protestë me nerv sepse ka 14 vjet që ju mbyllet dera surratit nuk kryejnë dot asnjë punë.
Kjo është dhe pjesa që ka dhe mllefin më të madh dhe kërkon aksion. Ne kemi lejuar që shprehja e mllefit të tyre të jetë në këtë mënyrë, por kemi ndaluar lëndimin e civilëve apo efektivëve. Ka dhe qytetarë që kërkojnë që ne të ngujohemi dhe të hyjmë në grevë urie. Pra jemi brenda dyzimit sesi duhet të veprojmë në këto raste. Unë personalisht kam qenë edhe për grevë urie dhe ngujim. Ne kemi kërkuar dhjetëra komisione hetimore, sepse parlamenti funksionon edhe si kontroll mbi ekzekutivin, dhe na i kanë mohuar. Dhe kjo sigurisht duhet të kishte shkuar në ekstreme. Kam tre muaj kërkoj interpelancë me ministrën e Shëndetësisë por ajo nuk vjen sepse nuk di të flaës. Kam qenë gjithmonë për masat ekstreme si ngujimi si përgjigje ndaj këtyre akteve”, tha Korreshi./mxh
