Deri në 45% e rasteve të demencës mund të parandalohen ose të shtyhen në kohë përmes një stili jetese të shëndetshëm dhe masave të thjeshta parandaluese. Ky është përfundimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), e cila publikoi udhëzimet e reja për uljen e rrezikut të rënies njohëse dhe demencës.
Sipas OBSH-së, mbi 57 milionë njerëz jetojnë aktualisht me demencë në mbarë botën, ndërsa çdo vit regjistrohen rreth 10 milionë raste të reja. Sëmundja e Alzheimerit mbetet forma më e zakonshme e demencës, duke përbërë 60–70% të të gjitha rasteve.
Edhe pse ende nuk ekziston një kurë përfundimtare për demencën, ekspertët theksojnë se shumë faktorë rreziku mund të kontrollohen.
Pirja e duhanit, konsumimi i tepërt i alkoolit, izolimi social, mungesa e aktivitetit fizik, ndotja e ajrit, si edhe sëmundje si hipertensioni, diabeti dhe kolesteroli i lartë, janë ndër faktorët kryesorë që rrisin rrezikun.
Udhëzimet e reja rekomandojnë ushtrimin e rregullt fizik, stimulimin e trurit me aktivitete njohëse, pjesëmarrjen në aktivitete sociale, një ushqyerje të shëndetshme, lënien e duhanit, kufizimin e alkoolit dhe uljen e ekspozimit ndaj ndotjes së ajrit.
Po ashtu, theksohet rëndësia e trajtimit të sëmundjeve kardiometabolike dhe përdorimit të aparateve të dëgjimit kur ato janë të nevojshme.
Nga ana tjetër, OBSH nuk rekomandon përdorimin e vitaminave B dhe E, acideve yndyrore omega-3, multivitaminave apo suplementeve minerale për parandalimin e demencës, përveç rasteve kur është konstatuar mungesë e tyre.
Sipas drejtorit të përgjithshëm të OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, vendet kanë tashmë në dispozicion rekomandime të qarta dhe të mbështetura në prova shkencore, të cilat mund të zbatohen menjëherë për të mbrojtur shëndetin njohës të popullatës./mxh
