Gigi Hadid u rikthye në një nga pasarelat më të rëndësishme të Javës së Modës në Paris, por në vend që gjithë vëmendja të mbetej te veshja, interneti vendosi të analizonte ecjen e saj.
Modelja mbylli sfilatën Pranverë/Verë 2027 të Miu Miu. Koleksioni “Here and Now”, i krijuar nga Miuccia Prada, ndërthurte elemente sportive me detaje më glam, dhe Gigi doli në skenë me një look gri të përbërë nga një bluzë sportive dhe një fund midi me pala, të zbukuruar me kristale në anë.

Por sapo videot nga sfilata nisën të qarkullonin online, veshja kaloi në plan të dytë. Një pjesë e komentuesve kritikuan qëndrimin, ritmin dhe mënyrën se si Gigi ecën në pasarelë, duke argumentuar se prezenca e saj nuk është në të njëjtin nivel me statusin që ka fituar në industri.
“Ende nuk e kuptoj si u bë një modele kaq e suksesshme,” shkroi një komentues, ndërsa një tjetër e krahasoi ecjen e saj me atë të “një futbollisti”. Të tjerë u treguan edhe më të drejtpërdrejtë, duke thënë se fytyra dhe fama e saj kanë luajtur një rol më të madh sesa aftësitë në pasarelë.
Dhe, siç ndodh pothuajse sa herë flitet për Gigi Hadid, diskutimi përfundoi te një fjalë: nepotizëm.
Gigi është vajza e ish-modeles Yolanda Hadid dhe sipërmarrësit të pasurive të paluajtshme Mohamed Hadid dhe ajo nuk është përpjekur ta mohojë avantazhin me të cilin ka hyrë në industri.

Në një intervistë për The Times në vitin 2023, Gigi e quajti veten hapur një “nepo baby” (fëmijë i përkrahur ose i favorizuar nga familjarët që kanë pushtet dhe para), duke thënë se fakti që vjen nga prindër të suksesshëm nuk do të thotë se nuk duhet të punosh duke u përpjekur të jesh sa më profesionist dhe punëtor.

Lidhjet e saj me modën nisën që në fëmijëri. Përmes rrethit familjar, ajo hyri në kontakt me Guess dhe punoi për Baby Guess dhe Guess Kids. Më vonë firmosi me IMG Models dhe ndërtoi një karrierë me fushata të mëdha, kopertina revistash dhe sfilata për disa prej shtëpive më të njohura të modës.

Megjithatë, jo të gjithë iu bashkuan kritikave. Disa përdorues argumentuan se mënyra se si një modele ecën, vishet apo stilizohet në një sfilatë nuk është gjithmonë zgjedhje individuale, por pjesë e vizionit të stilistit dhe të gjithë produksionit. Të tjerë sollën në vëmendje profesionalizmin dhe reputacionin që Gigi ka krijuar pas skenave gjatë viteve./k.m
