Ministri i Jashtëm i Sirisë, Asaad al-Shibani, zhvilloi një vizitë zyrtare në Bejrut, ku u takua me presidentin e Libanit, Joseph Aoun, dhe kryetarin e Parlamentit, Nabih Berri. Kjo është vizita e parë e një zyrtari të lartë sirian në Liban që pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili ngriti mundësinë që forcat siriane të angazhohen kundër Hezbollahut në territorin libanez.
Gjatë vizitës, al-Shibani deklaroi se Damasku mbetet i hapur për kontakte me Hezbollahun, nëse kjo do t’u shërbente interesave të përbashkëta. Deklarata vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes autoriteteve të reja siriane dhe grupit të mbështetur nga Irani mbeten të ndërlikuara.
Presidenti sirian Ahmed al-Sharaa ka mohuar më herët zërat për një prani të forcave siriane në Liban, duke theksuar se Damasku nuk synon të ndërhyjë në territorin fqinj.
Qeveria e re siriane drejtohet nga ish-rebelë, të cilët për vite me radhë luftuan kundër Hezbollahut gjatë luftës civile në Siri, ndërsa grupi libanez mbështeti ushtarakisht regjimin e ish-presidentit Bashar al-Assad. Tashmë, autoritetet e reja në Damask po përpiqen të balancojnë marrëdhëniet rajonale dhe të ruajnë stabilitetin, ndërsa vendi vazhdon rimëkëmbjen pas 14 vitesh lufte civile.
Sipas presidencës libaneze, presidenti Joseph Aoun mori garanci nga pala siriane se Damasku nuk do të përfshihet në çështjet e brendshme të Libanit.
Në përfundim të vizitës, Siria dhe Libani nënshkruan një marrëveshje për krijimin e një komiteti të përbashkët të nivelit të lartë, me synim forcimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe institucional mes dy vendeve./mxh
