Last Updated on 24/08/2026 by Monika
Situata e zjarreve në vend paraqitet e përmirësuar, ndërsa deri në orën 20:00 nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë ditës së sotme janë evidentuar 26 vatra zjarri. Prej tyre, 14 janë shuar, 6 vijojnë të jenë aktive dhe 6 të tjera janë nën mbikëqyrje.
Në terren janë angazhuar 311 forca operacionale dhe 16 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të operacioneve kanë qenë edhe Forcat e Armatosura me 70 efektivë, një automjet zjarrfikës, një ekskavator të rëndë dhe tre helikopterë.
Në Pukë, situata në zonën e Tërbunit, Gojanit dhe Gjegjanit është përmirësuar ndjeshëm. Zjarret në Gjegjan, Gojan të Vogël dhe Gojan të Madh janë shuar plotësisht, ndërsa vatra në Prozhëm vijon me intensitet shumë të ulët dhe është drejt shuarjes.
Në Gojan, Fushë-Arrëz, ekipet vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen e një zjarri në sipërfaqe pyjore. Operacioni mbështetet edhe nga një helikopter i Forcave të Armatosura. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për banesat.
Ndërkohë, në Dajt vijojnë të jenë aktive disa vatra në terren të vështirë. Edhe këtu, autoritetet bëjnë me dije se nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në operacion janë angazhuar 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 30 zjarrfikës, me mbështetjen e një helikopteri.
Vatra aktive raportohen edhe në Ballenjë dhe Qafën e Helmës në Dibër, si dhe në malin e Luzatit në Tepelenë.
Ndërkohë, disa vatra të tjera në qarqet e Lezhës, Elbasanit dhe Vlorës janë shuar.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.
Autoritetet deklarojnë se kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë së tyre./mxh
