Last Updated on 26/11/2026 by Anisa
Edhe këtë të enjte, në të gjithë territorin e Qarkut Shkodër vijojnë reshjet e shiut, kryesisht me intensitet mesatar.
Ndërkohë, raportohet se situata paraqitet përgjithësisht e qëndrueshme dhe deri në këto momente nuk ka problematika madhore.
Ja si paraqitet situata sipas zonave:
Në Bashkia Shkodër, grupet e punës janë në terren dhe në gatishmëri duke vijuar pastrimin e konetave për garantimin e kullimit të ujërave të shiut.
Bashkia Malësi e Madhe: Evidentohen ndërprerje të herëpashershme të energjisë elektrike në Kelmend dhe Kastrat. Prurjet e lumenjve nuk paraqesin problematika.
Bashkia Vau i Dejës: Raportohen probleme me furnizimin me energji elektrike në pothuajse të gjitha njësitë administrative.
Bashkitë Pukë dhe Fushë-Arrëz: Nuk raportohen problematika të lidhura me emergjencat civile.
Ekipet e OSHEE-së dhe strukturat pëgjegjëse vijojnë punën në terren për riparimin e defekteve në linjat përkatëse.
Situata rrugore: Në aksin Qafë Thorë–Theth është ndërhyrë nga firmat e mirëmbajtjes për largimin e gurëve dhe materialeve inerte. Të gjitha akset rrugore janë të kalueshme.
Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër, në koordinim me bashkitë dhe strukturat përgjegjëse, vijon monitorimin e situatës dhe mbajtjen në gatishmëri të strukturave operacionale./ad
