Last Updated on 22/07/2026 by EL
Reshjet intensive të shiut dhe era e fortë që përfshinë disa zona të vendit gjatë mbrëmjes së djeshme shkaktuan probleme të përkohshme në furnizimin me energji elektrike, ujë dhe në disa pika të infrastrukturës.
Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, grupet e punës ndërhynë menjëherë për normalizimin e situatës.
Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se akset kombëtare kanë mbetur të kalueshme, ndërsa ekipet kanë pastruar vazhdimisht gurët dhe materialet e rëna në rrugë.
Në sektorin e energjisë, 21 fidera mbeten jashtë funksionit, kryesisht në Vlorë, Fier, Sarandë dhe Librazhd, ndërsa mbi 1 mijë punonjës të OSSH-së po punojnë për rikthimin e furnizimit.
Rrjeti i transmetimit dhe kaskada e Drinit paraqiten në funksionim normal.
Probleme të përkohshme u raportuan edhe në disa stacione pompimi në Sarandë, Fier dhe Durrës, por pjesa më e madhe e defekteve është riparuar. Patosi vijon të mbetet pa ujë për shkak të mungesës së energjisë elektrike në stacionin e Varibopit.
Në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës pati vetëm vonesa të lehta në fluturimet hyrëse.
Ndërkohë, në Portin e Durrësit stuhia rrëzoi disa kontejnerë bosh, ndërsa aktiviteti në sektorët e tjerë dhe në Portin e Sarandës vijon normalisht./et
