Last Updated on 22/07/2026 by EL
Një studim i ri ka zbuluar se formimi i shtresës gjigante të akullit në Antarktidën Lindore nuk u shkaktua vetëm nga ftohja e klimës, por edhe nga ngritja e maleve, të cilat krijuan kushtet ideale për grumbullimin e përhershëm të borës dhe lindjen e akullnajave.
Shtresa e akullit në Antarktidën Lindore është më e madhja në planet. Nëse do të shkrihej plotësisht, niveli i deteve në mbarë botën do të rritej me rreth 52 metra.
Prej kohësh shkencëtarët janë përpjekur të kuptojnë pse Antarktida u mbulua nga akulli rreth 34 milionë vjet më parë, shumë më herët se Arktiku, edhe pse temperaturat mesatare globale ishin rreth 5°C më të larta se sot.
Sipas studimit të publikuar në revistën Science, përgjigjja gjendet në thellësi të Tokës. Një ekip ndërkombëtar studiuesish rindërtoi evolucionin gjeologjik të Antarktidës Lindore gjatë 100 milionë viteve të fundit dhe zbuloi se ndarja e Antarktidës nga Afrika, pas shpërbërjes së superkontinentit Gondwana, shkaktoi lëvizje të ngadalta në mantelin e Tokës.
Këto “valë të mantelit” ngritën gradualisht sipërfaqen e kontinentit, duke formuar një pllajë të madhe dhe vargmalin nëntokësor Gamburtsev, që shtrihet për rreth 1.200 kilometra nën akull. Këto male krijuan një “djep” natyror ku bora mund të grumbullohej dhe të mos shkrihej, duke favorizuar formimin e shtresës së përhershme të akullit.
Studimi ndihmon gjithashtu në shpjegimin e ndryshimit mes Antarktidës dhe Arktikut. Ndërsa Antarktida kishte male shumë të larta që favorizonin akumulimin e borës, relievi i Arktikut ishte më i ulët, ndaj shtresa e akullit atje u formua shumë më vonë, rreth 5 milionë vjet më parë.
Sipas autorit kryesor të studimit, Thomas Gernon nga Universiteti i Southamptonit, zbulimi tregon se proceset që ndodhin në brendësi të Tokës mund të përcaktojnë nëse një rajon është i predispozuar të mbulohet nga akulli. Ai thekson se ky zbulim është i rëndësishëm jo vetëm për të kuptuar epokat e lashta akullnajore, por edhe për të parashikuar ndryshimet e ardhshme në sistemin klimatik të Tokës./
