Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, paralajmëroi se marrëdhëniet mes Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut janë në një “situatë shumë të rrezikshme”, ku një përplasje aksidentale mund të ndodhë në çdo moment. Ai theksoi rëndësinë që Seuli të angazhojë Phenianin në dialog për të shmangur konflikte të mundshme.
Lee deklaroi për gazetarët gjatë një fluturimi se Koreja e Veriut po refuzon të përgjigjet ndaj thirrjeve të Koresë së Jugut për kontakte dhe po vendos tela me gjemba përgjatë kufirit ushtarak – një veprim që nuk ishte parë që nga përfundimi i Luftës Koreane (1950-1953).
Koreja e Jugut propozoi më 17 nëntor mbajtjen e bisedimeve ushtarake për të përcaktuar qartë kufirin përgjatë Linjës Ushtarake të Demarkacionit (MDL), me qëllim parandalimin e përplasjeve të armatosura që mund të shkaktojnë një konflikt më të gjerë. Deri tani, Koreja e Veriut nuk ka dhënë asnjë përgjigje apo reagim ndaj kësaj nisme.
Presidenti Lee po udhëtonte nga samiti G20 në Afrikën e Jugut drejt Turqisë për pjesën e fundit të vizitës së tij./mxh
