Një alien i rremë i krijuar nga një skulptor i Doctor Who, organe kafshësh të marra nga një kasap dhe një magjistar i vërtetë pas kamerës… kjo histori skandaloze e bën dokumentarin jashtëzakonisht tërheqës për t’u parë.
Rhik Samadder
Nëse do të intervistoheshit në një dokumentar, si do të dëshironit të dukeshit? Tërheqës, i sinqertë, një njeri i mirë? Apo aq i dyshimtë, sa publiku të ndiente dëshirën t’ju hidhte këpucët në ekran? Këtë javë e gjeta veten duke parë një dokumentar për një nga mashtrimet më të mëdha mediatike të shekullit të kaluar dhe, për një çast, më shkoi mendja të zgjidhja lidhëset e Doc Martens për t’i hedhur drejt televizorit.
Në vitin 1995 u publikua një film me cilësi të dobët, i cili pretendohej se tregonte autopsinë e një krijese të nxjerrë nga rrënojat e një objekti të rrëzuar në bazën ushtarake të Roswellit, në New Mexico. Ngjarja ishte bërë prej kohësh pjesë e mitologjisë së ufologjisë, por deri atëherë nuk ishte shfaqur kurrë ndonjë pamje e tillë.
Me siguri e mbani mend. Figura të veshura me kostume mbrojtëse qëndrojnë mbi një humanoid me kokë të madhe e të fryrë, të shtrirë mbi një tavolinë. Sytë e tij të zinj e ovalë ngulin shikimin në zbrazëti; goja është gjysmë e hapur dhe barku i fryrë. Mbrëmë i pashë sërish ato pamje tronditëse. Ose të paktën kështu mendova. Në të vërtetë, ishte ekrani i laptopit që po errësohej ngadalë, sepse më kishte zënë gjumi para Netflix-it.
Dokumentari “Alien Autopsy Scandal” tregon me humor se si ky film u kriju të vërtetë në një apartament në Camden, në Londrën e viteve ’90. Ishte ideja e dy biznesmenëve, Ray Santilli dhe Gary Shoefield.
Dyshja punësoi një skulptor që kishte punuar për Doctor Who për të ndërtuar alienin dhe një magjistar profesionist për të realizuar xhirimet. Krijesa e tyre ishte mbushur me organe kafshësh, përfshirë trurin e një qengji dhe kokën e një derri, gjë që i dha një pamje çuditërisht bindëse.
Ajo që e bën historinë vërtet interesante është paturpësia e protagonistëve. Santilli, i përshkruar si një biznesmen i industrisë muzikore, vazhdon edhe sot t’i përmbahet versionit të tij. Sipas tij, filmi origjinal iu shit nga një ish-ushtarak që kishte shërbyer në Roswell në vitin 1947. Gjatë viteve, pretendon ai, materiali ishte dëmtuar nga oksidimi, ndaj ai vendosi të rikrijonte pjesët që mungonin.
Për të justifikuar veprimin, Santilli i referohet madje historisë së artit. Ai përmend afreskun Darka e Fundit të Leonardo da Vinçit, i cili është restauruar disa herë gjatë shekujve. “Për ne,” thotë ai, “ishte thjesht restaurimi i një vepre ekzistuese.”
Kur gazetarët skeptikë amerikanë kërkuan të takonin kameramanin misterioz, Santilli dhe Shoefield gjetën një zgjidhje po aq të pabesueshme: morën një burrë të pastrehë, e lanë, e rruan dhe e paraqitën si veteranin në pension që kishte filmuar autopsinë. Mashtrimi zgjati deri kur një hetues rriti kontrastin e figurës në televizor dhe zbuloi fytyrën e tij.
Megjithatë, dyshja vazhdon të këmbëngulë se kameramani ka ekzistuar vërtet, por tashmë ka vdekur. Po, sigurisht. Njësoj siç mund të pretendoj unë se kam një lidhje sekrete me Beyoncé-n, por po e mbaj të fshehtë.
Historia është aq absurde sa duket si një skenar i Spinal Tap, vetëm se është reale. Edhe më e çuditshme është se njeriu që e ndihmoi të merrte përmasa globale ishte Reg Presley, këngëtari i grupit The Troggs. Mik i Santillit, ai u shfaq në emisionin televiziv “Good Morning With Anne and Nick”, duke folur seriozisht për ekzistencën e alienëve.
Shumë shpejt, mediat në mbarë botën nuhatën arin e shikueshmërisë. “Unë besoj shumë te universi dhe te momentumi,” thotë Shoefield, i cili duket dhe tingëllon si një personazh i dalë nga skeçet e Harry Enfield-it.
Nga ana e tij, Santilli duket vazhdimisht i tensionuar, me një buzëqeshje nervoze që nuk i largohet kurrë nga fytyra. Ai është po aq i besueshëm sa një ujk që përpiqet të shesë mantelin e Kuqezës. Më shumë se një herë ai e sjell vetë në diskutim idenë e mashtrimit, sikur të përpiqet t’i paraprijë akuzave.
“Autenticiteti është vetëm çështje semantike,” argumenton ai. Në një moment tjetër deklaron: “Ajo që krijuam është një nivel realiteti në vetvete.”
Nuk është për t’u habitur që Santilli dhe Shoefield u njohën për herë të parë ndërsa ishin përfshirë në një konflikt ligjor për një projekt tjetër. Një takim i përkryer mes dy shpirtrave të afërt.
Distopia jonë moderne është ndërtuar nga njerëz që kanë kuptuar se gënjeshtrat më të mëdha janë shpesh më të lehtat për t’u shitur, sepse publiku dëshiron t’u besojë. Santilli dhe Shoefield jo vetëm që ia dolën, por u pasuruan falë shitjeve dhe shpërndarjes së videokasetave VHS në mbarë botën.
Megjithatë, në epokën e videove të manipuluara nga inteligjenca artificiale, ka diçka çuditërisht tërheqëse te mashtrimet analoge. Njerëzit që ranë viktimë e tyre nuk ishin domosdoshmërisht budallenj; ata ishin ende të aftë të besonin.
“Nuk jemi vetëm. Nuk kemi qenë kurrë vetëm”, thotë një nga besimtarët e intervistuar.
Dhe, çuditërisht, kjo nuk më ngjalli përbuzje. Përkundrazi, më preku. Dikur shumë njerëz besonin se e vërteta ishte diku atje jashtë, edhe kur nuk ishte. Sot, shumëkush nuk beson se ekziston askund, edhe kur ajo është përpara syve tanë.
Mendoj se duhet të shtrihem pak. Dhe ju lutem, mos ma hapni gojën.
