Last Updated on 17/09/2026 by EL
Skocia ka vendosur të pezullojë përkohësisht miratimin e qendrave gjigante të të dhënave për inteligjencën artificiale, mes shqetësimeve për konsumin e energjisë, ujit dhe ndikimin në mjedis.
Parlamenti skocez votoi që të mos merren vendime të reja për projektet e qendrave “hyperscale” deri në hartimin e udhëzimeve kombëtare për zhvillimin e tyre, proces që pritet të përfundojë brenda 12 muajve.
Vendimi vjen në një moment kur Skocia po përjeton një bum projektesh të lidhura me zhvillimin e AI. Më shumë se 20 qendra të mëdha janë propozuar, mes tyre një projekt në Fife që është përshkruar si potencialisht qendra e dytë më e madhe e të dhënave në botë.
Qendrat “hyperscale” kërkojnë sasi shumë të mëdha energjie, shpesh dhjetëra megavat ose më shumë, për të furnizuar serverët që trajnojnë dhe vënë në funksion sistemet e inteligjencës artificiale.
Shqetësimi kryesor është nëse rrjeti energjetik i Skocisë mund ta përballojë rritjen e shpejtë të kërkesës, ndërsa autoritetet dhe komunitetet lokale kanë ngritur pikëpyetje edhe për konsumin e ujit, emetimet e karbonit dhe ndikimin e projekteve në zonat përreth.
Qeveria skoceze ka vendosur gjithashtu që të gjitha qendrat e reja të të dhënave me kapacitet mbi 50 megavat t’i nënshtrohen detyrimisht vlerësimit të ndikimit në mjedis.
Vendimi nuk përbën një ndalim të përhershëm. Synimi është krijimi i rregullave të reja kombëtare për të përcaktuar se ku dhe si mund të ndërtohen qendrat e mëdha të AI, ndërsa autoritetet përpiqen të balancojnë investimet në teknologji me nevojat e rrjetit energjetik dhe objektivat mjedisore./et
