Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, deklaroi se vendi po shqyrton mundësinë e paditjes së Bashkimit Europian për planin e tij që ndalon furnizimet me gaz rus nga viti 2028, si pasojë e luftës në Ukrainë. Sllovakia dhe Hungaria kanë kritikuar ashpër këtë propozim, pasi varen ende shumë nga energjia ruse dhe frikësohen se alternativat më të kushtueshme do të dëmtojnë ekonomitë e tyre.
Fico tha se u ka kërkuar ministrave të ekonomisë, të jashtme dhe të drejtësisë të analizojnë bazat ligjore për një padi të mundshme dhe se qeveria do të diskutojë këtë çështje javën e ardhshme. Ai nuk dha detaje për shumën e mundshme të padisë apo bazën e saktë ligjore.
Ai shtoi gjithashtu se qeveria do të diskutojë edhe propozimin e BE-së për përdorimin e aseteve të ngrira ruse për një hua prej 140 miliardë eurosh për Ukrainën, një plan të cilin Sllovakia e kundërshton për shkak të paqartësive dhe problemeve ligjore./MXH
